Detaje nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit (Foto)

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 19:24 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, vendosi që, në bazë të kërkesës së 44 deputetëve, Kuvendi të mblidhet në seancë plenare nesër në orën 11:00, për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së.

Sipas një komunikate nga Zyra për Shtyp e Kuvendit të Kosovës, këtij vendimi i parapriu një debat i gjerë midis anëtarëve të Kryesisë e kryetarëve të grupeve parlamentare, lidhur me kushtet që posedon Kuvendi i Kosovës për mbajtjen e një seance të tillë, në rrethana të ndërmarrjes së masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, i bëri të njohura rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bazë të të cilave, ndër të tjera, rekomandohet mbajtja e distancës së paku dy metr​a midis personave.

Ajo vlerësoi se në bazë të matjeve, salla e mbledhjeve plenare të Kuvendit, në tërë hapësirën e saj, nuk u plotëson në tërësi këto kushte, prandaj shprehu qëndrimin kundër mbajtjes së një seance të tillë në këto rrethana.

Nënkryetarë dhe përfaqësues nga grupet parlamentare në opozitë dhe nga grupi i LDK-së, vlerësuan se kërkesa për seancë e 44 deputetëve, është kushtetuese, prandaj, sipas tyre, seanca duhet të mbahet më së largu nesër.

Ndërkaq lidhur me rekomandimet e IKSHPK-së, ata propozuan shfrytëzimin nga ana e deputetëve të të gjithë hapësirës në sallë plenare, përfshirë dhe lozhat, për të rritur kështu distancën midis tyre.

Ndërkaq, ishte kërkesë e kryetarit të GP të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që për deputetët e këtij grupi të sigurohet distancë prej dy metrash, konform rekomandimeve të IKSHPK-së.

Pas shterjes së diskutimeve dhe mbi këto propozime, me katër vota për dhe dy kundër, Kryesia vendosi që seanca plenare të mbahet të mërkurën, sipas kërkesës së 44 deputetëve.

LEXO EDHE:

Të ngjashme