Dhurata Hoxha në Forumin e Bërdos

Prishtinë | 15 Dhj 2016 | 20:23 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha sot ka marrë pjesë në Forumin Ministror për Drejtësi të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Bërdo të Sllovenisë.

Gjatë këtij Forumi u diskutua për zhvillimet e fundit në shtimin e bashkëpunimit ndërkombëtarë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, kryesisht për efikasitetin e gjyqësorit dhe mundësit për zvogëlimin e numrit të rasteve dhe kohëzgjatjen e tyre, bashkëpunimin gjyqësor në çështjet civile dhe penale, si dhe zhvillimi i besimit të ndërsjellë ndërmjet “Eurojust” dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor.

Ministrja Hoxha gjatë fjalimit të saj përmendi sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova në fushën e gjyqësorit, numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura si dhe zgjatjen e procedurave gjyqësore. Po ashtu Ministrja Hoxha shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me vendet fqinje dhe vendet e BE-së dhe për të mësuar nga praktikat me të mira. Përderisa Kosova synon integrimin euroatlantik, duam të marrim praktikat më të mira para se të lëvizim së bashku në familjen evropiane, shtoi Ministrja Hoxha.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë reformat e nevojshme në mënyrë që të përgatisim rrugën tonë drejt bashkëpunimit, koordinimit dhe integrimit. Gjithashtu, ne jemi të gatshëm politikisht dhe me kapacitete profesionale për të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të mirën e qytetarëve të Kosovës, Drejtësisë së Kosovës dhe qytetarëve të rajonit dhe më gjerë. Qeveria e Kosovës është duke punuar vazhdimisht për të rritur besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si një nga sfida më të mëdha në Kosovë dhe rajon është prioritet për Ministrinë e Drejtësisë” tha Ministrja Hoxha.

Diskutimet do të vazhdojnë tutje rreth bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe do të bëhet prezantimi i raportit të përkohshëm të planit të veprimit 2015 – 2017 dhe çështje të tjera me rendësi si, trafikimi i armëve nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian si dhe veprimet e përbashkëta që parashihet të merren gjatë këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Ministrja Hoxha po qëndron në Slloveni me ftesë të Ministrisë së Drejtësisë të Sllovenisë në bashkëpunim me Presidencën Sllovene.

Të ngjashme