Dialog s’ka, por delegacioni shtetëror ka udhëtuar në Bruksel

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj janë duke qëndruar në Bruksel ku do të takohen me ndërmjetësues të Bashkimit Evropian. Sipas PSD’së, në takim do ta informojnë për platformën dhe ligjin për dialogun.

Limaj e Ahmeti kanë udhëtuar dje për në Bruksel, ndërkaq, paraprakisht nuk është bërë ndonjë paralajmërim për këtë takim.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka deklaruar se bëhet fjalë për një takim të rregullt.

“Këto janë takime të rregullta konsultative të delegacionit shtetëror me ndërmjetësuesit në BE”, deklaroi Kuçi, duke shtuar se paraprakisht kishin informuar Brukselin mbi platformën dhe ligjin për dialogun për të cilat do të flitet në takim.

“Meqenëse të ënjtën ka kaluar platforma dhe ligji për dialogun, delegacioni shtetëror ka informuar edhe zyrtarisht Brukselin mbi këto dokumente”, përfundoi zëdhënësja e PSD-së.

Platforma për dialogun e cila u miratua në Kuvend, sipas ekipit negociator është qëndrimi i vetëm zyrtar që mbajnë në dialogun me Serbinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme