Dialogu Hoti-Vuçiq: Një frymë e re me sfida të vjetra

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, pret që procesi i ri i dialogut që do të zhvillohet nga kosovari Avdullah Hoti dhe serbi Aleksandar Vuçiq të jetë në një frymë të re.

Madje, ai në një intervistë për klankosova.tv tha se ky proces, tanimë i kryesuar nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, duhet të ketë qëllim të saktë dhe të zhvillohet në një plan krejt të kundërt nga ai kur udhëhiqte italianja Frederica Mogherini.

“Pres një proces të vërtetë negociues të bazuar në një kornizë të përcaktuar, d.m.th. me parime dhe qëllime, krejtësisht të kundërt me bisedimet e fshehta të udhëhequra nga Mogherini, që nuk kishte asnjë kornizë e sidomos që ishte zhveshur nga çdo parim”.

Në “garën” se kush duhet të udhëheqë në tentativën e pajtimit të dy vendeve ballkanike, Weber është i mendimit që ShBA të kthehet dhe të kryesojë.

“Duhet të shohim nëse ShBA mund të luajë ndonjë rol aktiv me administratën aktuale. Për momentin duket se Grenell ka arritur të minimizojë përpjekjet e BE-së, që është gjëja më e rëndësishme. Duke marrë parasysh faktin që negociatat do të vazhdojnë në shtator dhe zgjedhjet presidenciale në ShBA janë vetëm dy muaj më vonë, nuk jam i sigurt që do të mund të kemi asnjë rol relevant të ShBA-së. Pas zgjedhjeve do të duhet të shohim varësisht nga rezultati zgjedhor. Do të ishte më së miri që ShBA-ja të kthehet me rolin kryesor që e kishin në fillim të dialogut politik”.

Se ShBA ka një rol të madh në procesin e dialogut mendon edhe eurodeputeti austriak Lukas Mandl.

Por, ai i tha klankosova.tv se në fund të fundit Kosova synon BE-në, prandaj edhe europianët duhet ta kenë timonin në dorë.

“ShBA gjithmonë ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në Kosovë. Nëse ne dëshirojmë të arrijmë marrëveshjen përfundimtare, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të punojnë së bashku. Prandaj, unë mirëpres angazhimin e përtërirë të SHBA-së për të zgjidhur konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, unë gjithashtu do të doja të nënvizoja rëndësinë e koordinimit. Sipas mendimit tim, BE duhet të mbetet në ulësen e shoferit. Në fund të fundit, Kosova nuk do të bëhet Shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara, por shpresojmë që një Shtet Anëtar i Bashkimit Europian”.

Arritjen e pajtimit mes serbëve dhe kosovarëve Mandl po e sheh edhe si forcim të BE-së në nivel global duke shtuar se s’ka mundësi që dy shtete të anëtarësohen në këtë institucion pa i ndrequr raportet.

“Jam i lumtur që më në fund dialogu Kosovë-Serbi  po rifillon në nivelin më të lartë politik. Ne duhet të heqim emocionet negative nga e kaluara dhe të shikojmë në mënyrë konstruktive drejt të ardhmes. Pajtimi është baza për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, për forcimin e BE-së në një kontekst global dhe veçanërisht për perspektivat e integrimit të Kosovës dhe Serbisë. Asnjë vend nuk mund të anëtarësohet në BE pa normalizuar marrëdhëniet e ndërsjella me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ky hap është vonuar shumë, tani duhet ta vazhdojmë atë me gjithë forcën dhe vullnetin tonë politik”.

Për të arritur një marrëveshje që përfundon të gjitha konfliktet e dy vendeve të ndara me luftë, eurodeputeti thotë se shpreson që shtatori të jetë një muaj ku do të shtohet intensitetit i negociatave.

“Shpresoj shumë që dialogu do të përshpejtohet në shtator. Stabiliteti politik në Kosovë dhe vullneti politik nga të dy palët do të jenë vendimtare në këtë drejtim. Nuk ka pengesa të pakapërcyeshme për të arritur një marrëveshje. Sidoqoftë, shpejtësia nuk është gjithçka, ajo që është më e rëndësishme është qëndrueshmëria e marrëveshjes”.

Nga ana tjetër, gjermani nuk beson fort se 2020-a do të jetë viti i përfundimit i dialogut që filloi më 2011. Megjithatë, Weber thotë se ka gjasa që viti tjetër mund të jetë ai.

“Për dallim nga deklaratat e negociatorëve që flasin për maksimalisht “javë apo muaj” për të përfunduar negociatat, unë shpresoj që ata do të fokusohen te substanca, jo te shpejtësia. Mbes skeptik se do të përfundohen negociatat këtë vit, por nënshkrimi i marrëveshjes vitin tjetër duket mundësi reale – duke bazuar se ekziston një kornizë e arsyeshme e negociatave, e mbështetur në mesazhet e duhura të aktorëve kyçë si Gjermania dhe Franca dhënë Prishtinës dhe veçanërisht Beogradit.

Por, çka pret Weber nga arritja e marrëveshjes përfundimtare?

“Në rezultatin përfundimtar të një marrëveshje gjithëpërfshirëse, është e ditur: duhet të adresohet çështja e vendosjes së marrëdhënieve zyrtare, bilaterale midis Serbisë dhe Kosovës, e cila do të thotë adresimin e çështjes së njohjes së Kosovës nga Serbia. Serbia duhet ta tërheqë kursin e bllokimit të Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe OKB; çështja e Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të gjejë një zgjidhje substanciale në atë mënyrë që adreson frikën kolektive të serbëve të Kosovës, veçanërisht atyre në veri, pa krijuar një Republika Srpska në Kosovë, që do të thotë një pushtet i tretë. Përfundimisht, të gjitha çështjet e pazgjidhura bilaterale duhet të zgjidhen”.

Mandl që e ka zor të parashikojë datën e përfundimit të dialogut thotë se rëndësia më e madhe e këtij procesi qëndron te njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë, pa të cilën nuk e imagjinon bashkimin e tyre me BE-në.

“Është e vështirë të parashikohet një datë përfundimi për dialogun. Kjo do të varet nga vullneti politik dhe stabiliteti, por edhe nga zhvillimi i mëtutjeshëm i pandemisë. Më e rëndësishmja si bazë për gjithçka do të jetë njohja reciproke. Është e vështirë të imagjinohet se si Kosova dhe Serbia mund të bëhen anëtare të BE-së pa e njohur njëra-tjetrën”.

Të ngjashme