Dialogu integron Kosovën në BE, por marrëveshjet duhet zbatuar

Prishtinë | 29 Mar 2017 | 12:02 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja për Integrim Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është procesi i cili Kosovës i garanton rrugën drejt BE-së. Ndrysa deputetët të opozitës vlerësojnë se dialogu në Bruksel nuk i solli gjë të mirë Kosovës, por veçse i ndihmoi Serbisë në integrimin e saj.

Kështu u tha në tryezën me temë “Pezullimi i dialogut” me qëllim të intensifikimit të impaktit që mund të ketë ky pezullim në proceset integruese të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në hyrje të këtij debati, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) deklaroi se rezoluta e kaluar në Kuvendin e Kosovës që kërkon nga qeveria pezullimin e dialogut mund të prodhojë efekte nga më të ndryshmet të cilat prekin si procesin e integrimit evropian të Kosovës si të ardhmen e vet procesit. Ajo shtoi se  transparenca dhe gjithpërfshirja mbeten elemente kyçe për këtë proces.

Ahmetaj: Serbia do të detyrohet ta njoh Kosovën

Ministrja Ahmetaj tha se Kosova ka ende tema të cilat duhet të ngrihen, si reparacionet e luftës, të pagjeturit e pensionet. Ajo shtoi se në bazë të dialogut BE-ja e vlerëson situatën në të cilën ndodhet Kosova. Ajo ka thënë se dialogu vazhdimisht do të plotësohet dhe do të ushqejë rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Origjina e dialogut është tek rezoluta e OKB e cila e ka obliguar Kosovën dhe Serbinë për t’u ulur dhe diskutuar për zgjidhjen e problemeve në mes vete në hapjen e perspektivës së të dyja vendeve drejt integrimit në  BE”, ka thënë ajo.

“Dialogu është proces dinamik dhe si i tillë do ta ushqejë integrimin në BE. Si përfundim i dialogut ne do të arrijmë marrëveshje nëpërmjet të cilës Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën si shtet”, tha ajo, duke përmendur si garancë të kësaj prezencën e BE-së në këtë proces.

“Në mënyrë që të mos ketë konflikte të tjera të ngrira me anëtarësimin e shteteve të reja, BE në bashkëpunim me OKB-në kanë obliguar Kosovën dhe Serbinë që t’i zgjedhin të gjitha çështjet e hapura para se të anëtarësohen. Dialogu është proces që e “ushqen” procesin negociues të Kosovës përmes MSA-së, ndërsa për Serbinë përmes Kapitullit 35. Si i tillë ai është një proces dinamik i cili në vazhdimësi plotësohet dhe azhurnohet me temat e reja”, tha ajo.

Haradinaj: Kosova ndihmoi Serbinë në integrim

Deputeti nga radhët e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se janë pro përmirësimit të raporteve me Serbinë, por jo vetëm duke dhënë Kosova.

Haradinaj the marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga pala kosovare janë zbatuar pothuajse të gjitha, ndërsa nga pala serbe jo.

Ai ka theksuar se Serbia që nga fillimi i dialogut nuk është ndalë asnjëherë duke ndërhyrë në Kosovë.

“Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ne vetëm kemi filluar t’i ndihmojmë Serbisë në integrimin e saj dhe janë arritur një varg marrëveshje të cilat vetëm Kosova iu është përmbajtur. Serbia që nga fillimi i dialogut ka vazhduar të mos ndalet në destabilizimin e Kosovës. Produktiviteti i dialogut është zero”, ka thënë ai.

Haradinaj më tej ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave dhe kritereve që po kërkohen nga Kosova.

“Nuk besoj që ka qytetar të Kosovës që është kundër integrimit në BE. Kosova nuk ka viza, ka kushte të ashpra për viza që as vetë vendet anëtare të BE-se nuk i kanë plotësuar ende, siç është çështja e Demarkacionit, e pse bash ne me e pas këtë kriter. Besoj që janë bartësit e institucioneve tona që e kanë kërkuar këtë kusht”, tha ai.

Deputeti i AAK-së kërkoi që dialogu me Serbinë të ndërpritet dhe t’i bëhet me dije se nuk mund të luajë me qytetarët e Kosovës. “Ka ardhur koha që t’i tregojmë Serbisë që nuk mund të luaj më me qytetarët e Kosovës, ndërsa BE-së se nuk mund t’i vihen kushte vetëm Kosovës”, ka thënë ai.

Konjufca: Kosova nuk ka pasur platformë për dialog

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, duke kundërshtuar dialogun tha se vendimi për të biseduar me Serbinë në mënyrë të njëanshme ka qënë problem i madh.

Ai ka theksuar se Qeveria nuk ka pasur një platformë për dialog gjë e cila rezultojë pa zbatimin e asnjë marrëveshje.

“Kjo ka qenë më të vërtet skandaloze. Gjithashtu mendoj që Qeveria ka shkuar në dialog tërësisht e papërgatitur. Si mund të hysh në një proces pa një platformë që qeveria jonë nuk e ka dhe për këtë duhet të japë përgjegjësi”, ka thënë Konjufca.

Rashiq: Ndërprerja e dialogut pezullon stabilizimin e dy vendeve

Përderisa deputetët Haradinaj e Konjufca kundërshtuan dialogun, deputeti i Listës Serbe, Nenad Rashiq, ka thënë se ndërprerja e dialogut me Serbinë pezullon stabilizimin dhe marrëdhëniet e dy vendeve.

“Përgjegjësia nuk mund të mbetet te ne që njerëzit të mendojnë që ne duam t’i pengojmë proceset. Ne duam që marrëveshjet t’i jetësojmë ato të cilat dalin nga dialogu. Ndërprerja e dialogut pezullon stabilizimin e marrëdhëniet tona. Ne kemi kërkuar që të formohet asociacioni për shkak të asaj që në mënyrë më të mirë ndoshta mund t’i harmonizojmë marrëdhëniet tona, që mendoj që është shumë e mundshme”, tha Rashiq.

“Roli ynë në procesin e dialogimit është shumë i zvogëluar dhe unë e fajësoj BE-në, sepse është qëllimi ynë i përbashkët. Unë në përgjithësi mendoj që përgjegjësinë më të madhe në një shoqëri e mban shumica, sepse është shartues i të gjitha proceseve, pakica nuk është ajo që mund të marr vendimet”, tha ai.

 

Të ngjashme