Dialogu Prishtinë – Beograd drejt ristrukturimit

Prishtinë | 24 Gus 2016 | 16:09 | Nga

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që po zhvillohet në kuadër të takimeve të kohëpaskohshme, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, nuk do t’i prodhojë efektet e pritura, përderisa Kosova dhe Serbia të mos ulen në tavolinë si dy shtete sovrane, thonë analistët politik.

Sipas tyre, nga Bashkimi Evropian si edhe palët në bisedime, janë paralajmëruar disa ndryshime në formatin e dialogut. Por, esenca konsiderohet se qëndron tek përmbajtja e dialogut dhe fakti që Serbia duhet ta njoh Kosovën si shtet, që dialogu t’i prodhojë efektet e dëshiruara për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Për nevojën e ristrukturimit të këtij dialogu së fundit ka folur edhe Përfaqësuesi i deritashëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, por nuk ka dhënë hollësi se si do të ndodh ky ristrukturim.

Përderisa në analiza politike në Prishtinë, ndryshimet në dialog shihen si nevojë e pakalueshme që të ketë ndonjë rezultat konkret.
Analisti Belul Beqaj thotë se në Beograd, politika e atjeshme ka krijuar një realitet të rrejshëm, duke e trajtuar Kosovën si pjesë të Serbisë dhe duke mos e njohur realitetin e krijuar. Një politikë e tillë, sipas tij, domosdo që ndikon edhe në dialog dhe në rezultatet e tij.

“Dialog të mirëfilltë do të ketë vetëm atëherë kur definitivisht do të kuptohen realitetet e reja. Realitetet e reja janë faktike. Kosova është shtet që funksionon në mënyrë të pavarur nga Serbia dhe realitet faktik është se serbët në Kosovë duhet të jenë partnerë të barabartë sikurse të gjitha komunitetet tjera në Kosovë që duhet të japin kontributin për ndërtimin e institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë Beqaj.

Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri thekson se dialogu është përcjellë me shumë të panjohura, andaj edhe nuk ka prodhuar efektet e dëshiruara. Dialogu, ka thënë ai, ka prodhuar disa marrëveshje formale, por të cilat nuk janë zbatuar sipas parashikimeve. Kurse në të ardhmen, beson se duhet të ketë ndryshime në këtë proces, ndonëse rikujton se kjo çështje mbetet në duart e Bashkimit Evropian si lehtësues,dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që asistojnë aty.

“Ky dialog duhet të ndryshohet gjithsesi, sepse tashmë mund të thuhet se e ka humbur kuptimin e tij, pasi që efektet janë minimale dhe nuk ia vlen që e gjithë kjo energji të harxhohet në një proces i cili nuk ka rezultate konkrete”, ka theksuar Muhaxhiri.

Një nga ndryshimet e para në dialogun Prishtinë – Beograd, sipas Muhaxhirit, mund të jetë saktësimi i datave të zbatimit të marrëveshjeve, në mënyrë që të rritet edhe niveli i përgjegjësisë së palëve në këtë proces.

“Duhet të ketë pika konkrete dhe afate konkrete, të cilat pastaj do të duhej të realizoheshin nga të dyja palët. Pra, vetëm në këtë mënyrë do të mund të kërkohej edhe llogari nga të dyja palët dhe kështu mund të ketë një përfitim eventual nga i gjithë ky procesi i dialogut”, ka vlerësuar Muhaxhiri.

Në anën tjetër, Belul Beqaj konsideron se deklaratat që dëgjohen nga përfaqësues të caktuar politik, se duhet të ndryshohet edhe formati i dialogut, nuk janë dobiprurëse, pasi sipas tij, dialogu duhet të ndryshojë në përmbajtje. Ai nuk sheh ndonjë përfitim nëse pjesë e dialogut do të ishin edhe presidentët apo kabinetet e presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Njerëzit të cilët nuk e kanë dhënë testin e mëhershëm, pavarësisht ndryshimit të pozicionit në hierarkinë e vendimmarrjes, nuk besoj se do të sillen ndryshe, fjala bie, nëse ish-kryeministri i Kosovës (Hashim Thaçi) tani është kryetar. Ata që kanë dështuar një herë nuk e besoj se mund të jenë më të suksesshëm për çështjen e njëjtë për të cilën nuk e kanë dhënë provimin”, ka thënë Beqaj.

Dialogu ndërmjet Prishtinës edhe Beogradit, sipas Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin e komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve nga ky dialog, Kosovës dhe Serbisë u është vënë si kusht në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur në prill të vitit 2013. Ndërkaq pika kryesore e saj konsiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sidoqoftë, dialogu pritet të vazhdojë, sidomos tani kur në Beograd është formuar qeveria e re dhe vetëm atëherë do të kuptohen planet e Brukselit për ristrukturimin e paralajmëruar. (REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme