Dialogu shterpë, Kosova e shkapërderdhur në përfaqësim

Prishtinë | 01 Kor 2019 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Kosova mbetet e shkapërderdhur sa i përket përfaqësimit në dialog. Përveç mungesës së qartësisë për të ardhmen e këtij procesi, ka edhe dramatizim të situatës nga ana e Serbisë me paralajmërimet për “katastrofë humanitare” në veri, për shkak të taksës së Qeverisë për mallrat me origjinë nga Serbia.

Takimi i Parisit, që ishte paraparë të mbahet më 1 korrik, si vazhdimësi e takimit të Berlinit, prej javësh është shpallur i dështuar. Ishte kjo një iniciativë e ndërmarrë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, për ta zgjidhur nyjën rreth dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shefja e deritashme e Politikës së Jashtme të BE-së, Federika Mogherini, nuk ia doli që brenda mandatit të saj ta finalizonte këtë proces me marrëveshje. Pas dështimit të Parisit, nuk ka një datë tjetër se kur mund të mbahet ai. Aktualisht BE-ja është në pritje të institucioneve të reja dhe nuk dihet cila do të jetë qasja ndaj dialogut.

Jeta Krasniqi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se takimi i Parisit nuk po realizohet, jo për shkak të Kosovës, por për shkak të mosgatishmërisë së Serbisë për të marrë përgjegjësi.

“Tarifa ndaj Serbisë është vetëm pretekst që po shfrytëzohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili duket të mos jetë fort i interesuar për të arritur marrëveshje me Kosovën”, ka theksuar Krasniqi. Sipas saj, edhe Kosova ka pasur mundësi shpeshherë të bojkotojë takimet, si rrjedhojë e përqasjes destruktive të Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, e po ashtu edhe kur Beogradi ka manipuluar duke e përdorur procesin e dialogut për të lobuar kundër shtetësisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme