Dilema për mbajtjen e mbledhjeve të Qeverisë, s’mund të ndahen mjete as për zgjedhje

Prishtinë | 26 Kor 2019 | 14:45 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka nisur mbledhja e Qeverisë së Kosovës nga ku ka dhënë dorëheqje Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit, por ai po e kryeson atë.

Kjo mbledhje nisi me dyshimet se a ka të drejtë ligjore të mblidhet Qeveria pas dorëheqjes së Haradinajt.

Zv. kryeministri Enver Hoxhaj tha se duhet një interpretim ligjor si të vazhdohet tutje në mënyrë që të mos kemi shkelje.

Ai tha se më lehtë është një koordinim politik se sa të presim vendim nga Gjykata Kushtetuese.

“Mbledhja e Qeverisë pas situatës së re politike e ligjore është më e veçantë, e di që e keni një listë të gjatë të pikave më shumë ka tema se kompetenca ligjore dhe duhet të kemi opinion ligjor si me vazhdu përpara në mënyrë që të mos kemi shkelje, temat që janë me urgjencë nuk duhet krijuar vakuum, ndërsa ato tjerat munden të presin”.

“Një koordinim politik do ishte më lehtë se sa të presim vendim nga Gjykata Kushtetuese dhe një mbledhje tjetër nuk e di a mund të ketë sepse kemi pasë, por kjo nuk është si në të kaluarën. Kolegët ministra nuk mund të sjellin më pika të rendit të ditës sepse më nuk ka prioritet të Qeverisë siç ka qenë deri më tani”, tha Hoxhaj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se për tema të rëndësishme nuk duhet të ketë vakuum.

“Për tema të rëndësishme nuk guxojmë të kemi vakuum dhe duam të kemi qartësi ligjore se cilat janë kompetencat tona të vazhdojmë më tutje pas vendimit të dorëheqjes së kryeministrit”.

Kyeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë cështje.

“Ne është mirë me diskutu se cilat na mbesin opsionet sepse vlerësimi i temave se cilat janë urgjente është proces i vështirë nuk e di kush ka të drejtë ta bëj këtë. E vetmja që më mbetet mua është me iu drejtu Gjykatës Kushtetuese me këtë i bie që nuk më takon të thirri mbledhje tjera të qeverisë pa marrë një përgjigje nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.

“Një marrëveshje politike mund ta gjejmë, por nuk na jep bazën ligjore kushtetuese, ju kur të më jepni një vendim a doni me iu drejtu bashkërisht Gjykatës Kushtetuese apo siç ka vlerësuar Zyra Ligjore. Nga sot unë kam frik më thirr më takim të Qeverisë sepse nuk e di cila mund të jetë me urgjencë. Nëse doni e lëmë pa epilog këtë diskutim apo e lëmë ndonjë epilog”.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se KQZ-ja nuk ka buxhet të mjaftueshëm për zgjedhje ngase nuk kanë qenë të planifikuara për këtë vit.

“KQZ-ja nuk ka buxhet të mjaftueshëm për zgjedhje dhe do ta kemi obligim me nda mjete shtesë sepse nuk ka qenë e planifikuar këtë vit të kemi zgjedhje në rast se shkojmë”.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se fillimisht duhet qartësi për statutin e ministrit për të marrë hap më pastaj për transfere të nevojshme të mjeteve që nevojiten për zgjedhje.

“Është një fond që në rast nevojë mund të barten mjetet, do kishte qenë mirë një takim mes partnerëve të koalicionit të bisedohet për këtë dhe duhet të diskutohet brenda kuadratit ligjor dhe të mbajmë një mbledhje të Qeverisë. Për me ndodh transferi i fondeve fillimisht duhet të shpallen zgjedhjet, në këtë rast duam qartësi për statutin juridik të ministrit për ta bërë këtë transfer”.

Haradinaj tha se është i detyruar t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, se a ka legjitimitet Qeveria të mbajë mbledhje.

“Jam i detyruar me iu drejtu Gjykatës Kushtetuese ndoshta vonohet por barra lë të bie në këtë institucion, ndoshta mundemi me hy në vakuum të mos veprimit”, tha Haradinaj, raporton EO.

Të ngjashme