Dimal Basha e akuzon gazetaren se “po çon ujë në mulli të Serbisë” kur pyetet për Asociacionin

Prishtinë | 07 Qer 2022 | 10:30 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i partisë së pushtet, Dimal Basha, nuk dëshiron fare të pyetet nga gazetarët në Kosovë në lidhje me mundësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, një kërkesë kjo e përsëritur nga bashkësia ndërkombëtare.

Deputeti i Vetëvendosjes i ka sugjeruar gazetares së Ekonomia Online që “meqenëse është gazetare e Republikës së Kosovës” të mos merret fare me temën e Asociacionit, sepse kështu dërgon “ujë në mullirin e Serbisë dhe të Vuçiqit”.

“Asociacioni është çështje e Serbisë dhe Serbia po don me ba. Nëse ti je këtu me ia dërgu agjendën përpara Vuqiqit, unë s’po e kuptoj arsyen… Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim në lidhje me Asociacionin”.

“Ka vendim të gjykatës dhe nëse ti don me ba temë ende Asociacionin, e me i qu ujë në mulli Serbisë e Vuqiqit, atëherë është temë e jotja”, ka vazhduar të mbajë “ders” deputeti Basha, kur është pyetur rreth kësaj teme.

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është rikthyer sërish temë diskutimi. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka një propozim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Von Cramon, në një intervistë për KTV-në, javën e shkuar, ka thënë se duhet të ketë kompromise në dialog.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, ka kritikuar liderët e Kosovës për mungesën e përparimit në dialog. Ai ka thënë se Gjermania nuk e dëshiron një “Republika Srpska” të dytë në Kosovë, por ka shtuar se ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit. Ai ka kërkuar propozime konkrete nga Qeveria e Kosovës duke thënë se kur refuzon diçka duhet të sjellësh propozimin tënd në tavolinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur se Kosova ka Asociacionin e Komunave dhe se i mjafton ky që është. “Nuk jam në dijeni si kryeministër të ndonjë farë plani për ASK me shumicë serbe. Është trajtuar shumë. Nuk kam çka të shtojë diçka të re. Kushtetutshmëria në Kosovë nuk toleron asociacion mbi baza etnike, mbi baza zhvillimore por jo mbi baza etnike. As serbët nuk e kanë prioritet, ata duan vende pune, zhvillim, shëndetësi”, ka përsëritur Kurti, i pyetur nga gazetarët.

Të ngjashme