Diplomati amerikan Philip Reeker në Bruksel, ku po zhvillohet dialogu Kosovë – Serbi

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 20:09 | Nga Ekonomia Online

Ndihmës – Sekretari i Shtetit të SHBA’së në Zyrën për çështjet Europiane dhe ato të Euroazisë, Philip Reeker thotë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mbetet një përparësi e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.

“Unë jam i kënaqur që dialogu është rikthyer dhe ne do ta mbështesim atë,” tha Reeker.

Philip Reeker vlerëson se Shtetet e Bashkuara, përmes angazhimit të të Dërguarit Special të Presidentit Donald Trump, Richard Grenell, kanë bërë hapa të rëndësishëm në “linjën ekonomike” të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Përmirësimi i ekonomisë është i rëndësishëm për një jetë më të mirë të qytetarëve dhe është një pjesë e pashmangshme e marrëdhënieve fqinjësore, normalizimit, por gjithashtu përparimit drejt një stabiliteti dhe sigurie më të madhe në rajon. Janë ndërmarrë hapa të konsiderueshëm në fushën e hekurudhave dhe transportit ajror dhe ne inkurajojmë të dy palët të vazhdojnë të punojnë punën në këtë rrugë”, thotë Reeker.

Zyrtari amerikan po qëndron në Bruksel ku do të takohet nesër me Përfaqësuesin Special të BE’së për Dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajcak.

“Miroslav Lajcak është një mik dhe koleg i mirë që e njeh shumë mirë rajonin. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar dhe mbështesim procesin për përparim. Ne mendojmë se të dy vendet mund të ndërmarrin hapa në atë drejtim”, tha Reeker.

Ndërkohë nesër pritet edhe takimi mes koordinatorit të Kosovës për dialog, Skënder Hyseni, dhe Marko Gjuriq. 

Të ngjashme