Diplomati letër Presidencës, Kuvendit e Qeverisë: Gërvalla po i maltreton diplomatët, po i lë rrugëve në mënyrë poshtëruese

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Më 11 nëntor të vitit 2021, Donika Gërvalla-Schwarz kishte marrë vendim që Viskont Jakupi, zyrtar i lartë për marrëdhënie dypalëshe, të kthehej prej misionit diplomatik në Londër.

Pas këtij vendimi, Jakupi i ka shkruar letër drejtuesve të shtetit. Ai u është drejtuar me letër kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, shefit të kabinetit të presidentes, Blerim Velës dhe anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Jakupi në këtë letër të siguruar nga Demokracia.com ka thënë se ministrja Gërvalla e ka tërhequr nga misioni në Ambasadën e Kosovës në Londër një muaj pas emërimit dhe i ka dhënë afat 24 orë që të kthehet në Kosovë.

“Po ju shkruaj për një veprim të paprecedent dhe skandaloz të ministres së Jashtme, Gërvalla-Schwarz, e cila më ka tërhequr nga misioni në Ambasadën e Kosovës në Londër, një muaj pas emërimit, me afat brenda 24 orëve që të kthehem në Kosovë, që po të shpallesha persona non grata nga shteti pritës, nuk do kisha një trajtim të tillë, duke u paraqitur si shtet joserioz karshi Mbretërisë së Bashkuar!”, ka shkruar Jakupi në letrën e tij.

Ai ka thënë se veprime të tilla të ministres Gërvalla-Schwarz po e dëmtojnë imazhin e shërbimit të jashtëm të Kosovës.

Sipas tij, ajo po mundohet t’i etiketojë diplomatët e shtetit, duke i tërhequr nga misioni pa asnjë procedurë, duke shkelur ligjin dhe rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.

“Veprimet e tilla të znj. Shwarz po dëmtojnë imazhin e shërbimit tonë të jashtëm, duke u munduar ti etiketojë diplomatët e shtetit, duke i tërhequr nga misioni pa asnjë procedurë, dhe që shkelë Ligjin dhe Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, ka shkruar në letrën e tij diplomati Viskont Jakupi.

Jakupi ka thënë se edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës ka konstatuar se vendimi i ministres Schwarz është i kundërligjshëm, kundërthënës dhe rast specifik.

Ai ka shkruar se Gërvalla-Schwarz po e merr rolin e sekretarit dhe po i maltreton diplomatët dhe familjet e tyre, duke i lënë rrugëve në mënyrën më poshtëruese.

“Veprimet e saj lënë të kuptohet se ajo as nuk i ka lexuar ligjet dhe rregulloret në fuqi të Ministrisë së Jashtme, duke bërë shkelje që janë konstatuar edhe nga institucionet përgjegjëse. Ministre e cila është e njohur për skandale të njëpasnjëshme, që merr rolin e sekretarit të ministrisë, maltreton diplomatët me familje, duke ia humbur edhe rendin e shkollimit të fëmijëve, lënë rrugëve në mënyrën më poshtëruese, duke ju dhënë edhe detyra që diplomatët t’i masin rrugët e Londrës se sa janë të gjata ato… Të gjitha këto janë të dokumentuara dhe jam i gatshëm t’i raportoj dhe dokumentoj para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Jakupi.

Një muaj më parë, Demokracia.com ka raportuar se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka hedhur poshtë vendimin e zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për kthimin nga misioni diplomatik në Londër të Viskont Jakupit. Krejt këtë “plan”, sipas burimeve brenda MPJD-së, Gërvalla e kishte nisur pas afrimit të LDK-së dhe PDK-së në Prizren, pasi Jakupi besohet të jetë person i afërt me Anton Qunin.

Më 11 nëntor të vitit 2021, tri ditë para balotazhit në Prizren, Donika Gërvalla kishte marrë vendim që Viskont Jakupi, zyrtar i lartë për marrëdhënie dypalëshe, të kthehej prej misionit diplomatik në Londër.

Këtë vendim, ajo e kishte marrë pas afrimit të PDK-së dhe LDK-së për balotazhin në Prizren. Kandidat i kësaj të fundit në zgjedhjet lokale në këtë komunë ishte Anton Quni, i cili e kishte humbur garën në raundin e parë.

Jakupi pas marrjes së vendimit është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të cilët, pas shqyrtimit të lëndës e kanë hedhur poshtë vendimin e ministres Gërvalla.

Në dokumentin e vendimit të KPMSHCK-së të cilin e kishte publikuar Demokracia.com thuhej se Gërvalla nuk e ka arsyetuar sipas ligjeve vendimin për kthimin nga misioni diplomatik të Viskont Jakupit.

Madje në dokument theksohej se Gërvalla ka shkelur dispozitat ligjore, pasi që sipas nenit 52, paragrafit 1, nënparagrafit 1.3 të ligjit Nr.05/L-031, shpjegohet se “Një akt administrative është i paligjshëm nëse është rezultat i shkeljes së dispozitave lidhur me procedurën administrative”.

Megjithatë, Donika Gërvalla nuk është ndalur me kaq, pasi që Jakupin më pas e kishin dërguar edhe në Komision Disiplinor.

Të ngjashme