Diskutohet rreth lëvizjes së lirë të komuniteteve joshumicë në Kosovë

Prishtinë | 01 Shk 2018 | 15:54 | Nga

Në Prishtinë është mbajtur sot tryeza: ”E ardhmja e nënshtetësisë dhe liria e lëvizjes së pjesëtarëve të komunitetit serb dhe komunitete jo shumicë në Kosovë”, e organizuar nga organizata “ECMI Kosova”, transmeton Ekonomia Online.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Abduselami Shkodra, pjesëmarrës në këtë tryezë, tha se garantimi i të drejtave të pakicave, integrimi dhe akomodimi i tyre në sistemin socio-politik është një prej sfidave me të cilat përballen demokracitë sot, sidomos demokracitë e reja, ku bën pjesë edhe Kosova.

Sipas një komunikate nga MPB, Shkodra shtoi se është avancimi dhe garantimi institucional i të drejtave të minoriteteve që i dallon demokracitë liberale nga ato jo liberale.

“Në këtë drejtim Kosova ka shënuar progres, duke krijuar një model politiko-kushtetues, më të avancuarin në rajon dhe në Evropë, i cili garanton barazinë në mundësi, integrimin e plotë institucional dhe pluralizmin shoqëror e politik të të gjitha grupeve e minoriteteve në Kosovë. Kosova mund të krenohet me këtë model, i cili krijon hapësirë, inkurajim, dhe garancinë për të drejta të barabarta për të gjitha minoritet, dhe grupet e ndryshme në Kosovë”, ka thënë Shkodra në fjalimin e tij.

Ai tutje tha se në aspektin e zbatimit të normave kushtetuese dhe ligjore, Kosova vazhdon të ketë sfida në fushën e sundimit të ligjit në përgjithësi, si rezultat i institucioneve në konsoldim e sipër.

“Sfida këto që përhapen edhe në aspektin e zbatimit në tërësi të të drejtave dhe lirive të minoriteteve të ndryshme. Është e rëndësishme të theksohet që ngecjet në këtë drejtim nuk janë të shtyra për të diskriminuar grupet minoritare, por janë rezultat i sfidave institucionale në funksionalizimin e plotë të shtetit të së drejtës, sidomos në komunat e veriut, ku shteti fqinjë, Serbia, i dekurajonë vazhdimisht komunitetin serb që të zhvillojnë lojalitetin e tyre ndaj shtetit të Kosovës, duke u përpjekur të sabotoj shtetin e Kosovës, përkundër garancive kushtetuese që ofron shteti i Kosovës për të gjithë qytetarët e saj”, ka thënë veç tjerash Shkodra në fjalimin e tij.

Sipas zëvendësministrit Shkodra, institucionet Kosovës janë zotuar dhe janë përgjegjëse për zbatimin e rendit kushtetues, për të bërë Kosovën vend të lirë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e saj.

 

Të ngjashme