Dita e Evropës shënohet me aktivitete të gjelbra dhe digjitale

Prishtinë | 09 Maj 2022 | 00:27 | Nga Ekonomia Online

Shtëpia e Evropës në Kosovë, e mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka përgatitur aktivitete të shumta të gjelbra dhe digjitale, për të shënuar Ditën e Evropës 2022. Koncerte, punëtori, diskutime dhe të tjera, janë vetëm disa nga ngarjet e përgatitura për të shënuar Ditën e Evropës.

Më poshtë, lista e plotë e ngjarjeve, që do të mbahen sot më 9 maj.

Art i Rrugës – E ardhmja e gjelbër dhe transformimi digjital

Aktivitetet e Javës së Evropës 2022, fillojnë me ngjyrosjen e njërës prej hyrjeve kryesore të qytetit të Prishtinës. Për dhjetë ditë me radhë, Prishtina do të mirëpres artistë të njohur ndërkombëtarë, të cilët së bashku me artistë vendorë, përmes ngjyrës dhe artit në rrugë, do t’i japin jetë qytetit, me mesazh të veçantë për një të ardhme të gjelbër dhe digjitale.

Dita e lëvizshmërisë të së ardhmes

Ditën e Evropës 2022 do ta hapim së bashku në dy rrugët kryesore të Prishtinës, bashkë me Ambasadorin e BE-së Tomash Sunjog, dhe ambasadorët e vendeve tjera anëtare, ku do të argëtohemi dhe do të lëvizim të lirë pa makina dhe ndotje.

Prandaj, ejani me më të dashurit tuaj dhe shijoni lëvizjen me biçikleta apo trotinetë elektrikë të cilat do të jenë në dispozicionin tuaj.

E ardhmja e gjelbër përmes Teknologjisë AR

E ardhmja është e gjelbër dhe digjitale! Në Ditën e Evropës, Shtëpia e Evropës në Kosovë dhe BONEVET kanë përgatitur një ngjarje fantastike virtuale për ju.

Ejani në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe përjetoni si asnjëherë më parë burimet kryesore të energjisë së ripërtëritshme te paraqitura pëmes animacioneve të ndryshme dhe teknologjisë AR (Augmented Reality).  

Mini ekspozitë: E ardhmja e gjelbër

Ekspozita “E ardhmja e gjelbër” e organizuar në bashkëpunim me “BONEVET” në Ditën e Evropës, është mundësi e shkëlqyer për të gjithë ju që dëshironi të mësoni më shumë për burimet e energjisë së ripërtëritshme, përmes punimeve të ndryshme të krijuara nga nxënësit e “BONEVET”.

Ejani në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, përkrahni inovatorët e rinj të teknologjisë dhe mësoni më shumë për energjinë e gjelbër.

Punëtoria e krijuesve të së ardhmes

Shtëpia e Evropës dhe BONEVET organizojnë punëtori të teknologjisë për fëmijët e moshës 7-11 vjeç. Përgjatë punëtorisë në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Arte dhe Matematikë (STEAM), fëmijët do të mësojnë përmes robotëve mBot dhe gjuhës koduese Scratch, se si të krijojnë punime nga imagjinata e tyre.

Kuiz diturie: E ardhmja e gjelbër dhe digjitale

Pjesëmarrësit të ndarë në ekipe prej tre personash, do të testojnë njohuritë e tyre për energjinë e gjelbër dhe teknologjinë, si dhe do të garojnë për të fituar tri çmimet kryesore.

Ceremonia hapëse e Chopin Piano FEST Prishtina

Njëri ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës klasike në Kosovë, Chopin Piano FEST Prishtina, hapet këtë vit më 9 maj në Ditën e Evropës, me koncertin e pianistit të famshëm botëror Martin Garcia Garcia, dhe përfundon më 8 qershor, duke sjellur para publikut kosovarë më shumë se 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara për instrumentistë dhe kompozitorë, dhe aktivitete të tjera kulturore. E veçantē tjetër e edicionit të sivjetmë të Chopin Piano FEST Prishtina, është edhe pjesëmarrja e festivalit në programin SYNERGY të mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit Creative Europe.

Aktivitetet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, respektivisht deri më 13 maj, dhe do të mbulohen medialisht nga agjencia e lajmeve “Ekonomia Online”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme