Dokumenti ku Gërvalla shkeli ligjin për ta kthyer nga misioni një diplomat, por Prindon Sadriun po e amniston

Prishtinë | 13 Shk 2022 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka hedhur poshtë vendimin e zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për kthimin nga misioni diplomatik në Londër të Viskont Jakupit. Krejt këtë “plan”, sipas burimeve brenda MPJD-së, Gërvalla e kishte nisur pas afrimit të LDK-së dhe PDK-së në Prizren, pasi Jakupi besohet të jetë person i afërt me Anton Qunin.

Më 11 nëntor të vitit 2021, tri ditë para balotazhit në Prizren, Donika Gërvalla kishte marrë vendim që Viskont Jakupi, zyrtar i lartë për marrëdhënie dypalëshe, të kthehej prej misionit diplomatik në Londër.

Këtë vendim, ajo e kishte marrë pas afrimit të PDK-së dhe LDK-së për balotazhin në Prizren. Kandidat i kësaj të fundit në zgjedhjet lokale në këtë komunë ishte Anton Quni, i cili e kishte humbur garën qysh në raundin e parë. Ky thuhej se është i afërt me Viskont Jakupin.

Jakupi pas marrjes së vendimit është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të cilët, pas shqyrtimit të lëndës e kanë hedhur poshtë vendimin e ministres Gërvalla.

Në dokumentin e vendimit të KPMSHCK-së të cilin e ka siguruar Demokracia.com thuhet qartë se Gërvalla nuk e ka arsyetuar sipas ligjeve vendimin për kthimin nga misioni diplomatik të Viskont Jakupit, raporton Demokracia.com.

Madje në dokument theksohet se Gërvalla ka shkelur dispozitat ligjore, pasi që sipas nenit 52, paragrafit 1, nënparagrafit 1.3 të ligjit Nr.05/L-031, shpjegohet se “Një akt administrative është i paligjshëm nëse është rezultat i shkeljes së dispozitave lidhur me procedurën administrative”.

Megjithatë, Donika Gërvalla nuk është ndalur me kaq. Demokracia.com merr vesh se Jakupin tanimë e kanë vendosur edhe në Komision Disiplinor.

Në anën tjetër, një tjetër diplomat kosovar, i cili ka rastisur të jetë edhe bashkëshort i presidentes Osmani, ka bërë shkelje të rregulloreve të MPJ-së, duke ndërhyrë direkt në punën e mediave dhe duke i ofenduar rëndë ato.

Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, pavarësisht reagimeve që mori kur i quajti gazetarët “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ai as nuk po disiplinohet dhe as nuk po shkarkohet.

Ndaj tij nuk është marrë asnjë masë, derisa duket se Gërvalla “po i mbyllë sytë” nga veprimi i Sadriut, i cili i ka irrituar edhe qytetarët.

Vlen të përmendet se pasi u bë presidente, Vjosa Osmani ia ka lënë në dorë Gërvallës partinë e saj të re, Listën “Guxo”.

Të ngjashme