Doli partia e parë në zgjedhjet lokale, reagon Abdixhiku

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 21:04 | Nga Ekonomia Online

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) doli e para për nga numri i votave me gjithsej 170 mijë e 177 vota.

Lidhur me këtë rezultat reagoi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se rikthimi si partia e parë në zgjedhje lokale është rikujtim se angazhimi i tyre i vërtet dhe i drejt merr gjithherë mbështetje qytetare.

“Pas përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha votave, të rregullta, të mërgatës e me kusht, i falënderoj të 170,177 votuesit e LDK-së, që me besimin dhe mbështetjen e tyre, vendosën Lidhjen Demokratike të Kosovës si partinë e parë – me më së shumti vota – në zgjedhjet e 17 tetorit.

Rikthimi ynë, si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin nga ne. Por, mbi të gjitha, është rikujtim se angazhimi ynë i vërtetë dhe i drejtë merr gjithherë mbështetje qytetare. Këtë besim e këtë rikthim duhet ta kujdestarojmë me plot përgjegjësi deri në vlerësimin tjetër.

Puna jonë vazhdon. Në raund të dytë edhe më tej. LDK është për të gjithë. Ju faleminderit nga zemra”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Të ngjashme