Donald Tusk: Hoti kandidati më i mirë për kryeministër të Kosovës

Prishtinë | 08 Shk 2021 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Partive Popullore Evropiane (EPP), Donald Tusk, i ka dhënë mbështetje të fuqishme për zgjedhjet e 14 shkurtit, kandidatit të LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti. 

“LDK ka eksperiencën e duhur për t’u përballur me sfidat e Kosovës. Për këtë arsye ne i japim mbështetje të plotë kryeministrit Avdullah Hoti, dhe ekipit të tij në LDK në zgjedhjet e 14 shkurtit. I besoj eksperiencës së kryeministrit, posaçërisht në ndërmarrjen e reformave ekonomike, ai po ashtu e din më së miri si të avancojë me shumë Kosovën drejt rrugës evropiane, pa retorikë popullsitë. Jam i sigurt se LDK do të bëjë me të mirën për ta drejtuar vendin në menaxhimin e pandemisë dhe krizës shëndetësore dhe do të bëjmë më të mirën për të përmirësuar ekonominë e goditur nga pandemia. Kur e shoh listën garuese të LDK-së me kaq eksperiencë, nuk kam pikë dyshimi se ju do t’ia dilni, fillimisht duke i fituar zgjedhjet të cilat duhet të jenë fer dhe të lira”, ka thënë Tusk në një adresim për qytetarët e Kosovës.  

Sipas tij, kandidatura e Avdullah Hoti, për kryeministër është më e mira për Kosovën.  

“Në këto kohë të turbullta, vetëm një ekip i tillë me eksperiencë do të ketë sukses për ta zhvilluar Kosovën, duke i ofruar asaj zhvillim e prosperitet, duke siguruar drejtësi të pavarur, media të lira dhe luftë kundër korrupsionit, duke forcuar sundimin e rendit dhe ligjit, ndarjen e pushteteve dhe qeverisjen në mënyrë transparente. Ju bëjë thirrje që të jeni të bashkuar dhe të fortë, rreth kandidaturës së Avdullah Hoti, e cila është më e mirë për Kosovën. Duhet t’i ofroni atij dhe ekipit të tij një mandat të qartë të dielën e 14 shkurtit”, tha presidenti i Partive Popullore Evropiane (EPP), ku LDK është anëtare.  

Tusk e ka përmbyllur mesazhin e tij duke kujtuar vizionin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, për Kosovën.  

“ Me lejoni ta mbylli duke iu referuar vizionit të Rugovës, që ishte avokat i madh për qëllimin e tij, për një Kosovë demokratike, me shoqëri politike tolerante, dhe me ekonomi të zhvilluar, të integruar në Bashkimin Evropian. Avdullah Hoti e ka dëshmuar se vepron në këtë frymë. Ai ka dëshmuar se mund të hap dyert për një të ardhme të suksesshme për Kosovën. Ne do të vazhdojmë të jemi partner  i tij dhe LDK mund të llogaris në mbështetjen time dhe të familjes politike të Partive Popullore Evropiane, Shteti, shtet”, ka thënë Tusk ne mesazhin e tij

Të ngjashme