Donfried ia bën të qartë Serbisë: Marrëveshja me Kosovën duhet ta ketë fokusin në njohje reciproke

Prishtinë | 28 Pri 2022 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Karen Donfried, e cila është Zëvendës-Sekretare amerikane e Shtetit për çështje Europiane dhe Euro-Aziatike, është deklaruar rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin dialogun mes këtyre dy vendeve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Gjatë një interviste për gazetën “Politika”, ajo ka shtuar se ky dialog i përkrahur nga SHBA-të duhet të rezultojë më një marrëveshje gjithëpërfshirëse, normalizimin e marrëdhënieve ku fokusi do të jetë njohje reciproke mes  Kosovës dhe Serbisë, transmeton lajmi.net.
“Besoj se është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin marrëdhëniet. Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve me fokus në njohjen reciproke. Një mekanizëm për ta arritur këtë është një dialog i ndërmjetësuar nga BE”, ka thënë Donfried.

Tutje ajo ka kujtuar se rreth çështjes se dialogut ka folur në takimin që ka pasur edhe me përfaqësuesit e Kosovës por edhe me ata të Serbisë, ku është shprehur se ka parë gatishmëri nga të dy palët që dialogu të vazhdojë.

“Unë kam folur për këtë në Kosovë dhe kam dëgjuar se ka gatishmëri për t’u angazhuar në atë dialog. Për këtë kam biseduar me Vuçiqin dhe kryeministren. Shpresojmë të bëjmë përparim. Është pikërisht progresi drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të normalizojnë raportet, me një fokus në njohje reciproke”, ka përfunduar Donfried.

Duhet kujtuar se, Donfried së bashku më Gabriel Escobar kanë vizituar së fundmi Ballkanin Perëndimor. 

Të ngjashme