Dorëheqja e Haradinajt e zë në befasi skenën politike

Prishtinë | 19 Kor 2019 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Dorëheqja e kryeministrit Haradinaj e ka zënë në befasi skenën politike të Kosovës.

Presidentit Thaçi i është dashur më shumë se një orë për të shkuar në Facebook.

Aty ai ka shprehur fillimisht keqardhje për ftesën që i është bërë ish-Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Bisilim Zyrapi, e më pas, ka përmendur Haradinajn, raporton KTV.

Ka thënë se për dorëheqjen është njoftuar nga mediat dhe ai do të veprojë konform ligjit.

“Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës, ju siguroj se do të veproj bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë”, ka shkruar Haradinaj.

Opozita ka thënë se Haradinaj është dashur të largohet shumë më herët, por jo për këtë arsye.

“Moti është dashur të japë dorëheqje. P.sh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur më 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje “Ahtisaari Plus” me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj.,” ka shkruar Kurti.

E më tutje, tha se zgjedhjet parlamentare janë të nevojshme.

Në anën tjetër, Isa Mustafa ka shprehur keqardhje për arsyen e dorëheqjes së Haradinajt.

“LDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por ndiejmë keqardhje që kjo ndodh për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara të Kryeministrit të Kosovës”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Ndërkaq, Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së, ka thënë që është i befasuar me dorëheqjen e Haradinajt.

E në anën tjetër, bashkëpartiaku i tij, Rasim Selmanaj, tha se këto janë pasojat e një gjykate që është e padrejtë.

“Një lajm i papritur, edhe shokues. Të themi të vërtetën, jemi të shokuar nga ky lajm. Personalisht, as që e kam menduar që Haradinaj mund të ftohet nga Gjykata speciale, por ja që është tepër e çuditshme dhe tepër e papritur. Nuk kam koment absolut, jemi duke i vajtuar pasojat e një gjykate të padrejtë.”

Edhe Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë që është për të ardhur keq që në drejtim të Ramush Haradinajt, ka ardhur një ftesë e tillë.

“Veç sa e pashë në media, nuk kam kurrfarë komenti. Më vjen keq që ka një ardhur ftesë e tillë, po këto janë procese që Kosova i ka formuar”

Ndërkaq, Zafir Berisha përmes Facebook-ut, ka thënë që Gjykata Speciale është shantazh.

“Ftesa për Ramushin nga Gj.Speciale është tallje me shtetin! Sa herë duhet të dëshmohet Ramushi se është i pafajshëm dhe lufta UÇK- së ka qenë e drejtë!? Ky është shantazh ndaj shtetit !!! Ju që keni votuar Gj. Speciale a po bindeni se keni luajtur lojën e djallit?”, ka shkruar deputeti i NISMËS.

E ndaj dorëheqjes së Ramush Haradinajt, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ministri i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, Pandeli Majko.

Ai tha se Haradinaj dha dorëheqje si burrë shteti.

Të ngjashme