“Dorëheqja e Visar Ymerit e vonuar, VV drejt ndarjes”

Prishtinë | 03 Jan 2018 | 14:04 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dorëheqja e Visar Ymerit si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje po konsiderohet e vonuar nga analisti i çështjeve politike, Bajrush Morina.

Sipas Morinës, Ymeri ishte kryetar “legal”, ndërsa Albin Kurti ka qenë gjithmonë kryetari “legjitim” i LVV-së.

Lëvizja Vetëvendosje doli si partia më e madhe në zgjedhjet e përgjithshme, veçse ka filluar të ndahet në dy grupe, thotë gazetari e publicisti Morina, në një bisedë me Ekonomia Online.

“Visar Ymeri ka qenë kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq Albin Kurti ka qenë lider i Lëvizjes Vetëvendosje. Ymeri ka qenë kryetar legal, ndërkaq Kurti lider legjitim. Kjo parti politike ka vazhduar bashkëjetesën me dy krahë, me dy kryetarë, një legal një legjitim, deri në një përplasje kur vërtet nuk i mbeti më vend Visar Ymerit. Prandaj për mua ka qenë një dorëheqje e vonuar, sepse Ymeri realisht nuk ka qenë i pari i Vetëvendosjes, ai nuk e ka kryesuar listën zgjedhore, e ka kryesuar vetëm mbledhjet e forumeve, por listën zgjedhore dhe votat e shumicës të anëtarësisë të Lëvizjes Vetëvendosje ka vazhduar t’i ketë, t’i ruajë dhe t’i fitojë Kurti”.

Morina konsideron se të gjithë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje janë bërë “të njohur” falë Lëvizjes së Albin Kurtit dhe se sipas tij kush ndahet nga VV e pret fati i Nexhat Dacit.

“Lëvizja Vetëvendosje është duke shkuar drejt ndarjes;, në fakt ndarja ka ndodhur. Se çka do të ndodhë në të ardhmen më këtë krahun tjetër të Vetëvendosjes kjo mbetet të shihet. Por kush e mban mend sot Nexhat Dacin dhe LDD-në? Mendoj se ai vetë dhe as anëtarësia e tij”.

“E thashë lider i Vetëvendosjes ka qenë, është dhe do të jetë Albin Kurti; të tjerët kanë qenë krijesa dhe emra të cilët janë bërë të njohur në opinion vetëm falë aktivitetit, vetëm falë lëvizjes së Albin Kurtit. Ata do të mbesin në skenën politike edhe për pak vite, pastaj ose do të rreshtohen diku tjetër, ose do të provojnë të krijojnë diçka që nuk ka të bëjë fare me lëvizjen Vetëvendosje. LVV do të mbetet parti politike vetëm me Albin Kurtin në krye”, shprehet ky analist.

Sipas, Morinës, situata në VV do të ndikojë negativisht në opinionin publik. Morina vlerëson se përballja me drejtësinë në Kosovë vetëm sa do të rrisë ndikimin e tij dhe se Kurti do të arrijë ta rikthejë Vetëvendosjen si parti të fuqishme opozitare.

“Sigurisht do të ndikojë në fazën e parë, do të ndikojë negativisht sepse edhe opinioni edhe anëtarësia e Vetëvendosjes do ta shohin se ky bashkim dhe ky unitet i Vetëvendosjes paska qenë i rrejshëm, nuk ka qenë real. Në Vetëvendosje ka pasur përplasje, por ata kanë arritur që këto përplasje t’i ruajnë larg anëtarësisë dhe larg opinionit përderisa shpërthyen”.

“Albin Kurtit i duhet një mobilizim pak më i ri, ma i fuqishëm, por unë mendoj se sfidat e Albin Kurtit, përballja e tij me gjyqësinë do t’ia rrisin rejtingun dhe ai përsëri do ta rikthejë Vetëvendosjen në një parti të fuqishme opozitare”.

Morina vlerëson se të gjitha partitë në Kosovë janë të njëjta të cilat kanë përbrenda sindromën e ndarjeve.

“Të gjitha partitë politike në vendin tonë fatkeqësisht janë të njëjta, në të gjitha partitë politike ka ‘bajraktarizëm’, në të gjitha partitë politike ka vlime të brendshme, përpjekje për fraksione dhe sindromën e ndarjeve po e përjeton edhe kjo parti politike për të cilën ne kemi besuar, më shumë se ne ka besuar anëtarësia se është parti unike e bashkuar, e fortë, ka një zemër të madhe. Por si duket edhe kjo parti politike po e përjeton sindromën e ndarjeve që kanë ndodhur edhe me partitë e tjera politike”.

“Ka ndodhur edhe në LDK, edhe në PDK… Ka pasue përpjekje edhe te partitë e tjera politike, por që në fund rrënja apo trungu i çdo partie politike lidhet me liderin, sepse mentaliteti ynë politik gjithmonë lidhet me liderin, prandaj do të mbetet Vetëvendosja si parti me Albin Kurtin; sigurisht jo e fortë siç ka qenë me 11 qershor, por që copat e ndara nga kjo parti politike do të shkrihen një ditë siç u shkrin copat e partive të tjera politike”, shprehet Bajrush Morina.

Të ngjashme