Dorëzimi i dialogut te presidenti, në kundërshtim me rezolutat e Kuvendit

Prishtinë | 05 Qer 2018 | 07:53 | Nga

Kryeministri Ramush Haradinaj ka hequr dorë nga përgjegjësia për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, në kundërshtim me dy rezoluta të Kuvendit (2011 dhe 2012).

Njërës prej tyre mbështetje i kishte dhënë edhe partia e Haradinajt, sa ishte në opozitë, shkruan sot Koha Ditore.

Në kabinetin e Haradinajt nuk kanë treguar arsyet se pse vendosën që dialogun t’ia dorëzojnë presidentit Hashim Thaçi.

“E drejta e presidentit buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërkaq Qeveria udhëheq dialogun teknik”, thuhet në një përgjigje të shkurtër të kabinetit Haradinaj.

Përcaktimi i Haradinajt që t’ia dorëzojë dialogun Thaçit nuk kishte gjetur mbështetjen e të gjithë partnerëve të koalicionit. Zyrtarë të Nismës Socialdemokrate në disa raste kanë thënë se dialogu duhet të mbetet në qeveri.

Por tani kreu i këtij subjekti, Fatmir Limaj, që është zëvendëskryeministër në qeverinë Haradinaj, ka përmendur përgjegjësitë kushtetuese të Qeverisë në këtë proces, por edhe rëndësinë që të arrihet një konsensus më i gjerë rreth dialogut.

Të ngjashme