Drejtori i Agjencisë për Informim dhe Privatësi kërkoi nga Kuvendi kompetenca të komisionerit

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Një kërkesë e drejtorit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi drejtuar Kuvendit të Kosovës ka vënë në lëvizje disa organizata të shoqërisë civile. Njëri prej kandidatëve potencialë për komisionarë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, njëkohësisht drejtor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Bujar Sadiku, i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me një kërkesë që atij t’i jepen autorizime të posaçme për funksionalizimin e Agjencisë për Informim.

Në kërkesën që ai i është drejtuar Komisionit për Çështje të Sigurisë, i cili tashmë është proceduar për në Kryesi, Sadiku kërkon lëshimin e autorizimit të posaçëm, i cili do t’ia mundësonte atij si drejtor i Agjencisë të kryente disa veprime.

Në mesin e tyre është funksionalizimi i Agjencisë, lehtësimi dhe legjitimi në fushën e inspektimeve, sa i përket fushës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe asaj të qasjes në dokumente publike, si dhe në zbatimin e projektit IPA 2.

Por rreth 8 organizata të shoqërisë civile të enjten përmes një letre drejtuar kryetares së Kuvendit i kanë kërkuar asaj të mos e marrë parasysh këtë kërkesë, që, sipas këtyre, organizata është e kundërligjshme dhe pa bazë ligjore. Sipas OJQ-ve, transferimi i këtyre kompetencave do të krijonte precedent të rrezikshëm për pavarësinë e Agjencisë.

Por drejtori i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Bujar Sadiku, tha se nuk e synon marrjen e kompetencave që i takojnë komisionerit, derisa thotë se kërkesa e tij drejtuar Kuvendit bazohet në disa precedentë, të cilët i kishte marrë më parë Kuvendi.

KTV-ja ka kërkuar sqarime nga zyra e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, nëse e ka pranuar këtë kërkesë të Sadikut dhe nëse do ta procedojë në Kryesi, por nuk ka marrë përgjigje.

Tri herë radhazi deri më tani Kuvendi kishte dështuar ta përzgjidhte komisionerin për privatësi. Asnjëri prej tre kandidatëve, në mesin e tyre edhe Bujar Sadiku, nuk kishin arritur të merrnin votat e duhura.

Dështimi për të zgjedhur komisionerin kishte shtyrë Ambasadën britanike që të tërhiqej nga mbështetja e rekrutimit bazuar në marrëveshjen e memorandumit.

Të ngjashme