Drejtori i Policisë: Shpend Maxhuni do të kthehet në polici, por jo si drejtor

Prishtinë | 06 Dhj 2019 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në emisionin Frontal në T7 ka folur lidhur me kërkesën e ish-shefit të AKI-së, Shpend Maxhunit për t’u kthyer në punë në institucionin në të cilin kishte punuar për shumë vite, raporton Gazeta Express.

Qalaj tha në Frontal se Shpend Maxhuni ka bërë kërkesë për t’u kthyer e se rasti i tij është në proces. Drejtori i policisë thotë se beson se së shpejti Maxhuni do të kthehet përsëri në polici.

“Ka bërë kthesë për kthim, rasti i tij është duke u trajtuar, sepse kthimi i tij është një proces, besoj që së shpejti do të kthehet”, thotë ai.

Tutje, shton se Maxhuni para se të emërohej shef në AKI kishte ngrirë pozitën në polici, e se kërkesa për t’u kthyer është legjitime.

“Është kërkesë e tij, në momentin kur ka shkuar në AKI e ka ngrirë pozitën kështu që është ligjore që të kthehet. Në pozitën që ka qenë jo, mirëpo, mund të kthehet është obligim të kthehet në punë”, shton ai.

Me 21 nëntor, pak ditë pas dorëheqjes së tij nga pozita e shefit në AKI, në medie është raportuar se Maxhuni ka kërkuar që të kthehet në punë, në institucionin në të cilin ka punuar për shumë vite.

Të ngjashme