Drejtori i VV-së që u lag me ujë nga asamblisti në Podujevë: Këta të LDK-së kanë inati patologjik ndaj meje

Prishtinë | 20 Maj 2022 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Në Kuvendin Komunal të Podujevës derisa po debatohej për arsimin ndodhi një përplasje. Asamblisti i LDK-së, Ekrem Rrahmani, është ngritur në këmbë dhe ka lagur me ujë drejtorin e Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, i cili kishte fjalën.

Ky i fundit për T7 ka treguar se si ndodhi ngjarja dhe dha versionin e tij për arsyen që çoi deri te ky veprim, për të cilin tha se aq më pak duhet të ndodhte kur flitet për arsim.

“Ai gjest nuk ishte i nevojshëm, por ja që ndodhin këto gjëra në politikë. E kanë njëfarë inati patologjik drejt meje për arsye se para dy vjetëve isha në subjektin e LDK-së dhe e lashë atë për të vazhduar në Vetëvendosje derisa ajo ishte në opozitë. Pas dy vjetësh përpjekje ne arritëm që të vinim në pushtet me Vetëvendosjen dhe ish-bashkëpartiakët e mi e kanë njëfarë averzioni ndaj meje në çdo seancë dhe sot e manifestuan me këtë gjest të një personi që e pat mundësinë që të argumentonte, por e shfrytëzoi atë të hidhte ujë në vend të hedhjes së argumenteve, që e ka mundësi secili”.

Fetahu tha se edhe pas kësaj përplasje ata i kishin ofruar argumentet dhe kishin treguar “qartë si është situata dhe ndërkohë ata e panë gabimin e tyre kërkuan prapë riktihim në seancë, por s’kishte kushte”.

Drejtori i Arsimit thotë se lagia me ujë s’përfundoi vetëm në seancë, por se prapë asamblisti i LDK-së tentoi ta bëjë të njëjtën.

“Edhe në drekë u afrua dhe tha se “paske ujë edhe këtu” se i ka mbet merak që të hedhë ende ujë, por me një gjakftohtësi kësaj here e toleruam”.

Nga ana tjetër, Rrahmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se në momentin kur e ka lagur “me pak ujë” drejtorin e Arsimit e ka bërë pa paramendim dhe se atë e bëri meqë pati “diskutime nënçmuese e fyese” nga Fetahu në drejtim të tyre.

Por, këtë e mohoi Fetahu, i cili tha se debatin ishte pa ofendime.

“Ne ishim duke debatuar dhe s’e kam ofenduar askënd, incizimet janë. Por arroganca e tij nuk është për herë të parë, sepse ndodh në çdo seancë. Për fat të keq, kjo tregon se si subjekt i LDK ende s’është reformuar”.

Të ngjashme