Drenasi tregoi se AKR-ja po rritet

Prishtinë | 01 Jan 2017 | 17:52 | Nga

Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se mbështetja që ky subjekt politik ka marrë në zgjedhjet për kryetar të komunës së Drenasit janë tregues se AKR-ja është duke u rritur.

Ai ka bërë me dije se të njëjtën rritje kjo parti do ta ketë në tërë Kosovën. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Pacolli ka thënë se këtë përkrahje AKR-ja po e merr pasi qytetarët janë zhgënjyer nga subjektet e tjera politike. “Pritjet e mia në Drenas kanë qenë shumë më të mëdha. Pavarësisht prej faktit se AKR-ja në zgjedhjet në Drenas e pesëfishoi votën e vet, unë kam pritur më shumë. Megjithatë, Drenasi ishte tregues i qartë i rritjes së AKR-së në nivel vendi”, ka thënë Pacolli.

Ai thotë se rinia e Kosovës e ka kuptuar qëllimin e këtij subjekti politik, prandaj po e përkrah atë. “Është dëshmuar se unë jam këtu për qytetarin e Kosovës. Jam këtu për ta zhvilluar Kosovën ekonomikisht. Pa modesti mund t’ju them se unë jam i vetmi lider me bagazh suksesi në rrafshin ekonomik. Unë kam ndërtuar një kompani globale me qarkullim vjetor disa miliardë euro. Këtë përvojë unë jam i interesuar ta vë në funksion të përmirësimit të jetës së njerëzve të Kosovës sonë të dashur. Ky është qëllimi im madhor dhe misioni im jetësor në politikë. Prandaj, siç e thashë më parë, arsyeja pse AKR-ja sot po mbështetet nga qytetarët, nga rinia, është se ata e kanë kuptuar qëllimin e secilit lider të partisë”, ka thënë ai. Sa i përket një koalicioni të mundshëm me AAK-në dhe Nismën, Pacolli nuk ka dashur të flasë. Ai ka thënë se tani për tani janë duke punuar në terren me qytetarët. “Jemi duke punuar shumë me qytetarët e Kosovës. Jemi të interesuar ta marrim besimin e qytetarëve për t’i bërë ndryshimet e nevojshme në këtë vend”, ka deklaruar Pacolli.

Z. Pacolli, sa po përkrahet nga qytetarët subjekti juaj politik?
Pacolli: AKR-ja, siç po mund ta vëreni, është duke u mbështetur shumë nga qytetarët e Kosovës për një arsye të thjeshtë, sepse të gjithë të tjerët kanë arritur që qytetarëve t’ua humbasin shpresën se situata në vend do të përmirësohet. Kosova çdo ditë e më tepër po bëhet më e vështirë për qytetarët e vet. Kemi rritje të varfërisë, ikje të investimeve të huaja, mosfunksionim të sistemit të drejtësisë, papunësi të madhe, nepotizëm etj. Pra, këta janë faktorët kryesorë që qytetarët janë të zhgënjyer shumë. Ndërkaq, vetëdija e njerëzve dhe e rinisë sonë sot është ndryshe. Ata dinë ta dallojnë mjaftueshëm se kush po i gënjen dhe kush punon vetëm për interesat personale. Në këtë drejtim besoj bazohet edhe mbështetja e rritjes së AKR-së. Ne maksimalisht jemi duke u angazhuar që këtë rast ta shfrytëzojmë dhe Kosovës t’ia japim një qeverisje që krijon vende pune, mundësi për investime milionëshe nga jashtë dhe perspektivë të qartë për rininë.

Zgjedhjet e fundit për kryetar të komunës së Drenasit, në të cilat kjo parti ka marrë mbi një mijë vota, sa mund të jenë dëshmi për fuqizimin e AKR-së?
Pacolli: Pritjet e mia në Drenas kanë qenë shumë më të mëdha. Pavarësisht se AKR-ja në zgjedhjet në Drenas e pesëfishoi votën e vet, unë kam pritur më shumë. Megjithatë, Drenasi ishte tregues i qartë i rritjes së AKR-së në nivel vendi.

Pse mendoni se AKR-ja po mbështetet?
Pacolli: Sepse është dëshmuar se unë jam këtu për qytetarin e Kosovës. Jam këtu për ta zhvilluar Kosovën ekonomikisht. Pa modesti mund t’ju them se unë jam i vetmi lider me bagazh suksesi në rrafshin ekonomik. Unë kam ndërtuar një kompani globale me qarkullim vjetor disa miliardë euro. Këtë përvojë unë jam i interesuar ta vë në funksion të përmirësimit të jetës së njerëzve të Kosovës sonë të dashur. Ky është qëllimi im madhor dhe misioni im jetësor në politikë. Prandaj, siç e thashë më parë, arsyeja pse AKR-ja sot po mbështetet nga qytetarët, nga rinia, është se ata e kanë kuptuar qëllimin e secilit.

Po flitet për një koalicion të mundshëm të AKR-së me AAK-në e Nismën.
Pacolli: Ne jemi duke punuar shumë me qytetarët e Kosovës. Jemi të interesuar ta marrim besimin e qytetarëve për t’i bërë ndryshimet e nevojshme në këtë vend. Besoj se aktualisht nuk duhet të jetë temë diskutimi diçka tjetër.

Jeni takuar edhe me z. Haradinaj. A keni biseduar për çështjen e koalicionit?
Pacolli: Jo. Ka qenë një takim miqësor me z. Haradinaj, për të cilin kam respekt.

Pavarësisht prej pritjeve të mëdha që kishim këtë vit, nuk u realizua liberalizimi i vizave. Kë e bëni përgjegjës për këtë dështim: pozitën apo opozitën?
Pacolli: Partnerët e koalicionit bashkërisht janë fajtorë për këtë dështim, ashtu si edhe për të gjitha fenomenet negative që i përmenda gjatë kësaj interviste. Këta njerëz po e mbajnë peng të ardhmen e Kosovës vetëm për interesa të ngushta klanore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme