“Drenicës i pëlqen fakti që kandidati për president është nga UÇK-ja”

Prishtinë | 10 Shk 2021 | 23:00 | Nga Ekonomia Online

Bartësi i Listës së AAK-së, njëherësh kandidati për president nga kjo parti, Ramush Haradinaj, ka thënë se AAK-ja do të ketë rritje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Haradinaj tha se partia e tij ka pasur 96 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2019 ndërkaq në këto zgjedhje, votat do të shtohen.

“Ne kemi pasur 96 mijë vota në zgjedhjet 2019. Ne mendojmë se do të kemi më shumë në këto zgjedhje. E dimë që është një situatë jo e lehtë në popull. E kemi respektuar dëshirën e qytetarëve në ofertën për ecje përpara”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se AAK-ja udhëheq në disa komuna të rëndësishme në Kosovë dhe se ka parë përkrahje të shtuar edhe në Drenicë për shkak të kandidimit të tij për president.

Sipas tij, kjo përkrahje vjen për shkak se ai do të jetë një president nga UÇK-ja.

“Ne qëndrojmë bukur fuqishëm në Pejë, kemi rritje edhe në Malishevë, Podujevë, edhe në Drenicë kemi rritje. Ajo ideja që presidenti të vijë nga UÇK- ja ju pëlqen më shumë atje sepse unë jam i vetmi kandidat nga UÇK-ja”, tha Haradinaj në KTV.

Të ngjashme