Dreshaj: Filloni me vaksinim masiv, sepse nesër do akuzohemi si përgjegjës për rastet fatale

Prishtinë | 17 Maj 2021 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Infektologu dhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se Qeveria ende s’ka bërë asgjë konkrete për vaksinën, por se për këtë çështje s’do të kritikojë, por se do të ofrojë rekomandime për zgjidhje.

Dreshaj ka thënë se deri më sot janë vaksinuar vetëm 14 për qind e popullatës, duke e cilësuar si një shifër shumë të vogël. Ai gjithashtu shtoi se në vendet e tjera personat të cilët refuzojnë të vaksinohen ndiqen edhe penalisht, njofton Klan Kosova.

“Të gjitha medikamentet që janë përdorur deri më sot për të infektuarit me COVID-19 nuk kanë pasë efekt dhe thuajse të gjithë pacientët që kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore kanë përfunduar me fatalitet”.

Gjithashtu, Dreshaj tha se edhe programi për arsimin i prezantuar nga Qeveria Kurti është totalisht pa agjendë.

“Duke lexuar programin qeverisës për arsimin pata përshtypjen se gjatë hartimit të kësaj pike u mendua se pandemia më nuk ekziston. Askund nuk u trajtua rënia drastike e numrit të nxënësve dhe se asgjë konkrete nuk u hartua se çfarë do të ndodhë me mësimdhënësit, duke e ditur se nëse numri i nxënëseve vazhdon të ketë rënie, një numër i madh i mësimdhënësve do mbeten pa punë”.

“Ju kisha rekomanduar që të rishikoni këtë program dhe ta bëni të besueshëm dhe praktik. Siguroni vaksinën dhe të filloni me vaksinim masiv. Binduni se sot është vonë dhe nesër do akuzohemi si përgjegjës për rastet e reja dhe fatale, pozitë e opozitë”.

Të ngjashme