Driton Selmanaj dyshon që Qeveria Kurti është konsultuar me shtetet mike para aplikimit në KE

Prishtinë | 27 Maj 2022 | 08:45 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me 12 maj Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka shprehur dyshimin se ka pasur konsultime paraprake me shtetet e fuqishme mike lidhur më këtë aplikim.

Ai thotë se ky do të ishte gabim i madh strategjik. “Por nëse ka ndodhur një gjë e tillë, atëherë duhet të bëhen aktivitete të mëdha lobimi me të gjitha shtete mike sidomos me ato që janë shumë të fuqishme”, tha ai.

Ai tha se kryeministri Kurti duhet të shkojë në adresa të fuqishme të vendimmarrjes, e jo të vizitojë fabrika çokollatash dhe shoqata të taksive nëpër botë, duke shtuar se kjo Qeveri nuk ka gatishmërisë për t’i dalë ballë proceseve të mëdha për Kosovën.

“Unë akoma dua të besoj që para se të aplikojmë ka pasur një dakordancë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Nëse kjo ka ndodhur pa konsultë me ta kemi bërë gabim të madh strategjik. Akoma dua të besoj që ka pasur një farë konsulte, sepse duke e parë sjelljen e papërgjegjshme të politikës së jashtme të Kosovës dhe Qeverisë kam shumë dilema se a ka pasur konsulta apo jo”, tha ai.

Sipas tij, pasi ka ndodhur aplikimi, atëherë duhet të bëhen aktivitete të mëdha lobimi në shtete mike dhe ato me ndikim politik.

“Meqenëse kjo ka ndodhur duhet të bëhen aktivitete të mëdha lobimi me të gjitha shtete mike sidomos me ato që janë shumë të fuqishme, por edhe ato të cilat janë anëtare të Këshillit të Evropës, të bëjnë gjithçka që ajo punë të mbyllet në aspektin pozitiv për neve”, tha ai.

Sipas Selmanajt, nëse një lobim i tillë nuk ndodhë, atëherë është fatkeqësi.

“Nëse jo është fat i keq për Kosovën që kjo çështje të prolongohet dhe vetë prolongimi për Kosovën është i dëmshëm. Doli një aktivitet i madh edhe i kryeministrit. Kurti s’duhet të shkojë të vizitojë fabrika çokollatash dhe shoqata të taksive nëpër botë, por duhet të shkoj në adresa të fuqishme të vendimmarrjes të cilët më pas do të rezultonin me një vendim pozitiv për Kosovën. Prej kësaj qeverie nuk pres asgjë. Aktualisht këta nuk po më bindin që kanë minimumin e gatishmërisë për t’iu dalë ballë proceseve të mëdha për Kosovën”, tha Selmanaj.

Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës me seli në Strasbourg të Francës e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Por, Komitetit të Ministrave që u mbajt në Torino të Italisë, më 20 maj, nuk e pati në agjendë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare. Kosova duhet të presë që aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës të shqyrtohet tek në majin e vitit të ardhshëm.

Seanca e 133-të, respektivisht e radhës, e Komitetit të Ministrave pritet të mbahet në Rejkjavik të Islandës, ku mund të jetë në tryezë diskutimi edhe aplikimi i Kosovës në KE.

Deklarativisht anëtarësimin e Kosovës në KE e kanë mbështetur shtete anëtare, si Britania e Madhe, Gjermania dhe Finlanda; sikurse dhe ShBA-ja, si shtet vëzhgues në këtë organizatë të të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Të ngjashme