Dritro Arifi: Qasja e BE-së nuk po na dërgon tek njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë

Prishtinë | 29 Nën 2021 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritro Arifi, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë primar gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

”Problemi qëndron te Asociacioni i Komunave Serbe, ajo pikë duhet të lihet për fund, në finalen gjithëpërfshirëse ku kërkohet edhe njohja reciproke”, ka thënë Arifi për Info Magazine.

Arifi theksoi se Kosova duhet të kërkojë edhe njohjen nga Bashkimi Evropian, pasi sipas tij, qasja e BE-së nuk është duke dërguar në njohje reciproke mes dy shteteve.

”Asociacioni mund të bëhet me një fusnotë, pra të zbatohet në fund të marrëveshjes. Por duhet të kemi kujdes që ta kërkojmë edhe njohjen nga Bashkimi Evropian. Qasja e BE-së nuk po na dërgon te njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë pasi BE s’po na njeh si shtet”, ka shtuar ai.

Ai vizitën e presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, e cilësoi si pozitive, por që sipas tij, Sllovenia është një vend që nuk ka ndikim në Bashkimin Evropian apo në NATO.

”Nëse e analizojmë nga aspekti shtetëror është vizitë pozitive, pavarësisht debateve dhe fjalëve që mund t’iu ketë thënë duhet ta kuptojmë se Sllovenia është një vend i vogël dhe pa ndonjë influencë të madhe në Bashkimin Evropian apo në NATO, por është një zë opozitiv sa i përket të gjitha involvimeve të Republikës së Kosovës në politikën evropiane apo më gjerë”, ka shpjeguar Arifi.

Sipas profesorit, edhe tutje Kosova do të ketë presion nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se liberalizimin e vizave do ta ofrojë në këmbim të diçkaje, dhe sipas tij do të ishte e ulët nga BE-ja nëse do të kërkonte asociacionin për vizat.

”Është e vërtetë se do të ketë presion shumë të madh, do të ketë një karem për viza por ajo mendoj që është shumë e ulët nga Bashkimi Evropian nëse ofron asociacionin për viza. Dhe nëse qeveria e Kosovës e pranon një gjë të tillë do të kemi një amatori të skajshëm”, ka vazhduar ai.

Të ngjashme