Dugolli: Çështja e presidentit jo problematike, partitë opozitare të mos e bllokojnë Kosovën

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 09:04 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, thotë se partitë politike që kanë humbur në zgjedhje  nuk duhet ta bllokojnë Kosovën, ndërsa nuk e sheh problematike çështjen e zgjedhjes së presidentit, pasi sipas tij Lëvizja Vetëvendosje ka vota të mjaftueshme, raporton Ekonomia Online.

Për të mbijetuar, qeveria e re duhet të sigurohet se do të ketë mbështetjen e 2/3 në Kuvend, pasi më së largu në prill të këtij viti, duhet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Kushtetuta e përcakton se presidenti i Republikës duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota (në raundin e tretë), por kërkon që në procesin e votimit, të marrin pjesë të paktën 81 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes.

Sipas Dugollit zgjedhja e presidentit nuk do të jetë problematike nëse partitë politike vendosin interesin shtetëror para atij personal.

“Jo nuk shoh as për zgjedhjen e Presidentit për faktin që ne kemi një fitore bindëse dhe partitë politike që tani më dihet që do jenë në rolin e opozitës duhet të kenë rol konstruktiv sa i përket ndërtimit, konstituimit të organeve shtetërore sepse destruktiviteti i tyre deri tani e ka sjell këtë rezultat dhe ata të cilët mendojnë në interes të Kosovës, tani duhet të bëhen vet kritik dhe të shikojnë gabimet që i bëjnë dhe të mos bllokojnë më tutje ndërtimin e institucioneve të vendit sepse diferenca mes fituesit dhe humbësve është shumë diferencë e madhe dhe tani më partitë që kanë humbur nuk mund ta bllokojnë Kosovën, dhe në këtë aspekt lista e fitores së VV-së e komunitetet tjera e përbëjnë atë që do të jetë në Qeveri, pakica serbe do t’i takojnë sipas Kushtetutës ato vende të cilat ja lejon Kushtetuta por jo koalicion me të, ndërsa partitë të cilat mbesin në opozitë duhet të jenë të përgjegjshme ndaj shtetit të Kosovës, dhe të jenë zëri kritik i Qeverisë në rast që qeveria nuk punon si duhet por jo ta bllokojnë vendin”, u shpreh ai.

Dugolli tha se nuk do të ketë vështirësi në konstituimin e institucioneve të reja pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, por theksoi se është e rëndësishme që opozita të jetë zëri kritik i punës së Qeverisë.

 “Po ajo që ishte e pritshme dje ndodhi, do të thotë lista e Lëvizjes Vetëvendosje fitoi zgjedhjet, fitoi bindshëm zgjedhjet e tani presim numërimin e të gjitha votave edhe atyre me kusht dhe votave të ardhura nga jashtë me postë nga mërgata dhe pas përfundimit të saj presim certifikimin e rezultateve dhe të dihet edhe kandidatët se kush janë kandidatët qoftë nga lista e VV-së qoftë nga partitë tjera dhe pastaj t’i hapet mundësia pas apelimit të ankesave dhe shqyrtimit tjerat, konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe më tutje organeve që duhet të burojnë nga Kuvendi siç është Qeveria apo edhe zgjedhja e Presidentit ose Presidentes. Dhe tash mbas këtyre rezultateve unë nuk shoh që do ketë ndonjë problem për t’i konsistu institucionet”, tha ai për Ekonomia Online.

Ndërsa, çështja e dialogut me Beogradin nuk është prioritet për Kosovën sipas Dugollit, por normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, ShBA-të dhe me vendet e Bashkimit Evropian.

“Ashtu siç është thënë  dhe e kemi thënë ne që dialogu nuk është diçka prioritet për Kosovën, dialogu do të vazhdojë për t’u shikuar se deri ku ka mbërritur dhe çfarë në të vërtetë ka prodhuar ai dialog. Ne jemi dhe duhet institucionet e Kosovës të jenë të interesuara të normalizojnë marrëdhëniet me Serbinë, ShBA-të, vendet e BE-së, qeverisë i mbetet që të ruaj kontaktet me ta dhe të shoh se çka ata kërkojnë, po të merren me problemet e brendshme që janë shumë më të rëndësishme sesa dialogu”, tha ai.

Të ngjashme