Dugolli: Pa ndjekjen e kriminelëve dhe pa dëmshpërblim s’mund të ketë marrëveshje të paqes me Serbinë

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar dhe ish-deputeti, Bujar Dugolli, në “Ekspres Intervistën” në KTV ka thënë se pa ndjekjen e kriminelëve të luftës në Kosovë dhe pa dëmshpërblimin që duhet të paguajë Serbië s’mund të ketë kurrfarë marrëveshje të paqes.

Ai ka thënë se kur mungon drejtësia, normal që shoqërinë e ngulfat një debat i tillë, sepse në Kosovë tash e sa vite s’kemi drejtësi të mirëfilltë sa u përket përgjegjësve që kanë kryer gjenocid mbi popullsinë e Kosovës.

“Ende nuk është arritur drejtësi, ndërsa pala tjetër shkaktare e gjenocidit ka arritur të intensifikojë zhvillimet destruktive në dobi të çështjes së vet dhe në dëm të Kosovës. Dhe ka përpjekje apo tendencë për t’i relativizuar krimet dhe situatën për t’i ikur përgjegjësisë. Më e keqja e këtij debati për relativizim bëhen edhe njerëz që kanë njëfarë pozicioni të caktuar çoftë në shoqëri civile, mediume apo në Qeveri që është më e keqja. Mendoj se Kosovës i nevojitet një zbardhje i tërë asaj që ka ndodhur”, ka thënë Dugolli.

Ai thotë se fajin e kanë akterët politikë, të cilët, sipas tij, nuk kanë punuar sa duhet.

“Shumë nga akterëve politikë iu vë faj pasi nuk kanë punuar sa duhet sa u përket viktimave të luftës. Ndaj Kosovës ka pasur krime të tmerrshme nga lufta e parë ballkanike e në luftërat botërore e deri në luftën e fundit dhe Serbia asnjëherë nuk është përgjigjur për krimet që ka kryer ndaj shqiptarëve. Kjo ka mbetur vetëm në çështje të deklaratave. Ndërkohë pala tjetër ka avancuar në agjendën ndërkombëtare duke lobuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe duke relativizuar krimet dhe duke e vënë fajin se UÇK-ja ka kryer krime. Mendoj se kjo është si rezultat i dobësisë së vet institucioneve të Kosovës dhe klasës politike, e cila nuk është marrë fare me këtë çështje”, ka thënë Dugolli.

Dugolli shton se shoqëria jonë duhet të jetë vetkritike.

“Padyshim se në situatë lufte nuk mund të bësh kontroll të mirëfilltë. Deri në qershor 1999 është zhvilluar një luftë, atë e ka nxitur vet Serbia, që në mënyrë të organizuar kanë kryer krime ndaj civilëve. Kurse UÇK-ja nuk ka kryer ato krime që i veshën dhe synimi i saj ka qenë mbrojtës. Pas 12 qershorit, kur është futë edhe bashkësia ndërkombëtare, aty ka mundur të ketë devijime, të cilat kushdo që ka kryer krime dhe normal nëse ka fakte duhet të përgjigjet para drejtësisë”, shprehet Dugolli. “por, assesi nuk duhet t’i adresohet kjo Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kushdo që e thotë mendoj se e ka gabim. E në anën tjetër edhe ata që thirren në falje të krimeve po ashtu janë gabim”.

Ai tutje ka folur edhe për zhvillimet politike në vend, duke kritikuar klasën politike për rrëzimin e qeverisë në kohë pandemie.

“Klasa aktuale politike nuk është sjellë në mënyrën e duhur, përkundrazi kanë bërë veprime destruktive duke rrezikuar edhe shëndetin e popullit. Asnjë njeri normal dhe i ndershëm nuk i arsyeton veprimet në Kuvendë për të shkarkuar Qeverinë në kohë pandemie. Pa marrë parasysh se cilat kanë qenë ato divergjenca politike. Lehtë është të shkatërrosh por si do të gjesh rrugë që ta ndërtosh prapë”, ka thënë Dugolli.

Sipas tij nëse formohet një Qeveri e re pa partinë fituese atëherë cenohet rëndë rendi kushtetues.

“Asnjëherë nuk ka qenë praktikë që Qeveria të krijohet pa subjektin fitues. Kështu ka ndodhur edhe në rastet e tjera. Asnjëherë partia e parë nuk është përjashtuar nga krijimi i Qeverisë. Aktualisht Qeveria në detyrë dhe Kurti është deklaruar se dëshiron t’i japë prioritet kalimit të pandemisë e më pas t’i përgjigjet presidentit. Nëse shkohet në këtë (formimi i Qeverisë nga LDK-ja), atëherë cenohet rëndë rendi kushtetues i Kosovës dhe nëse ndiqet një praktikë e mëhershme atëherë nuk ka ndryshe përveç që të shpallet veprim jokushtetues”, ka thënë Dugolli.

Ai ka shtuar se, “në rast se Vetëvendosje tërhiqet dhe nuk arrin të krijojë qeverinë për gjashtë muaj atëherë presidenti e ka mundësinë për të shpërndajë Kuvendin dhe të shkohet në zgjedhje. Por, cilado palë mendoj se duhet ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse s’kemi tjetër rrugë”.

Ai gjithashtu ka thënë se vendimi i PDK-së për përkrahur mocionin dhe të mos hyjë në Qeveri të re është shumë destruktiv.

Derisa ka theksuar se një Qeveri e varur nga Lista Serbe do të ishte vetëvrasje politike për partitë e tjera të koalicionit.

“PDK-ja kur ka deklaruar se do të jetë opozitë, mendoj se ka qenë shumë e gabuar që ka mbështetur mocionin dhe që s’do të futet në Qeveri, pasi kjo ka qenë destruktive. Një koalicion i cili e mbështet fatin e vet te 10 deputetët e Listës Serbe, që e dimë shumë qartë se çfarë tretmani kanë ndaj institucioneve të Kosovës, ndaj të gjitha vlerave, edhe ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mendoj se është vetëvrasje politike edhe për LDK-në edhe për AAK-në, edhe për Nismën”, ka thënë Dugolli.

Dugolli është pesimist sa i përket arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Nuk mendoj se mund të arrihet një marrëveshje përfundimtarë në këto kohë. Do të duhet shumë kohë për t’u arritur një marrëveshje e paqes me Serbinë. Klasa politike aktuale në Serbi nuk mund të arrijë një marrëveshje të paqes me Kosovës. Kemi një Serbi që mohon çdo gjë. Presioni ndërkombëtar nuk është ndaj Serbisë, por ndaj Kosovës, e Kosova duhet t’i rezistojë këtij presioni”, është shprehur ai.

Ai thekson se edhe më parë ndërkombëtarët nuk e kishin përkrahur Kosovën në disa çështja, por uniteti brenda ka bërë që Kosova të dalë fituese.

“Ndërkombëtarët nuk kanë mbështetur as ushtrinë tonë, por ne njëfarë mënyrë kemi rezistuar dhe klasa politike ka qenë unike dhe kemi fituar. Tash mendoj se nuk duhet që të heqim dorë nga vetvetja. Serbisë i ngutet për shumë çështje. Ne atë e kemi fqinj dhe do të diskutojmë për shumëçka. Ne nuk e kemi bërë shtetin dhe pavarësinë se kur do të na njohin ata. Ne duhet ta forcojmë shtetin tonë, duke e bërë një zhvillim ekonomik, dhe drejtësi”, ka thënë Dugolli.

Ai thotë se s’duhet t’i bëhen favore Serbisë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale.

“Gabim e kanë ata që mendojnë se duke bërë favore për Serbinë, ne do ta relaksojmë situatën, përkundrazi ata vet dialogu teknik kur ka filluar se çështja e statusit të Kosovës nuk ka përfunduar dhe kanë dhënë idenë se tani është duke u dialoguar. As anëtarësimi në OKB e as në BE nuk varet nga Serbia. Nuk na ngutet neve, por Serbisë. Kosova nuk është problem, pasi është deklaruar se është për një fqinjësi të mirë”, ka thënë Dugolli.

Ai thekson se Kosova në kurrfarë mënyre nuk duhet të heqë dorë nga e drejta e vet dhe duhet të kërkojë vazhdimisht që dëmet e luftës t’i paguajë Serbia.

“Çështja e ndjekjes së krimeve dhe kriminelëve padyshim se duhet të jetë një angazhim i joni i madh që të kërkohet që të dënohen ata kanë kryer krime dhe njëkohësisht që Serbia të paguajë edhe dëmshpërblim. Nëse hiqet dorë nga këto të dyja atëherë ne kurrfarë marrëveshje paqes të qëndrueshme s’mund të bëjmë me Serbinë. Historikisht Serbia ka bërë krime dhe asnjëherë nuk është përgjegjë para drejtësisë ndërkombëtare apo gjykatave të saj. Dhe nëse vazhdohet kështu historia do të përsëritet dhe paqe të qëndrueshme nuk do të ketë”, ka thënë Dugolli.

Ai ka theksuar se nuk ka marrëveshje të paqes pa drejtësi.

“Drejtësia e munguar ndërkombëtare është një element që neve do të na bëjë të kuptojmë që nuk mund të arrihet kurrfarë marrëveshje e paqes pa distancim nga e kaluara dhe pa i vendosur para drejtësisë të gjithë ata që i kanë kryer krime. Shteti serb e di shumë mirë sepse të dy akterët kryesorë të politikës udhëheqëse në Serbi, presidenti dhe ministri i punëve të jashtme janë pjesë e atij aparati. Ata përveç që duhet të kërkojnë falje dhe të distancohen nga regjimi i kaluar i Millosheviqit duhet të punojnë që t’i nxjerrin para drejtësisë njerëzit që kanë kryer krime në Kosovës. Që është parakusht që kjo temë të trajtohet dhe të merrë një epilog. E mbi bazën e kësaj mund të punohet për një marrëveshje të paqes ndërmjet dy vendeve pa pasur koncesione të tjera”, u shpreh ai.

Dugolli ka theksuar se, “ne nuk kemi çfarë të japim përveç se të japim mundësinë që të jetojmë në paqe e stabilitet në rajon pa frikën që ne do të bëhemi shkaktarë për t’i sulmuar ata”.

Të ngjashme