Duke luftuar korrupsionin, rritet buxheti për filmin dhe artistët

Prishtinë | 23 Gus 2019 | 14:48 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë vizituar Qendrën Kinematografike të Kosovës, një institucion ky i cili me përkrahjen e ministrit të Kulturës ka dyfishuar buxhetin dhe ka mbështetur projekte të reja.

Gashi dhe Veseli u informuan nga drejtuesit e Qendrës Kinematografike për ndryshimet e mëdha që janë bërë, sipas tyre, si rezultat i punës së ministrit Kujtim Gashi nëpërmjet luftimit të korrupsionit.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se me përkrahjen e kryetarit Veseli, deri në fund të këtij viti buxheti i Qendrës Kinematografike do të rritet për 200 për qind, raporton Ekonomia Online.

“Ajo që na ka mundësuar rritjen e buxhetit dhe shtimin e financimit të shumë më shumë filmave sesa më parë, ka qenë vënia e kontrollit të rreptë të buxhetit, kursimet dhe pastaj rritja e buxhetit për institucionet kulturore. Ajo që është e rëndësishme, tani për herë të parë kemi pasur financim të një numri të madh të filmave përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës”, tha Gashi.

Nga ana e tij, kryeparlamentari Veseli u shpreh shumë i kënaqur që dëgjoi nga drejtuesit e QKK-së se ka përmirësim të kushteve të punës, ka rritje të pagave dhe pothuajse dyfishim të buxhetit.

“Një pjesë e këtyre parave kanë qenë aty, por është abuzuar. Atë që ka bërë ministri është se e ka shfrytëzuar atë para publike në mënyrë më të drejtë. Me paratë që ndoshta janë abuzuar në xhirollogari të ndryshme, tani është rritur përgjegjësia dhe me të njëjtat para kemi arritur që të rrisim pagat, të dyfishohet buxheti i Qendrës Kinematografike dhe të kemi perspektivë për arsye se tani që shihet që ka menaxhim më të mirë mund edhe të investohet më shumë. Pra po del se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm e drejtë por është edhe e vlefshme”, tha Veseli.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, tha se falë mbështetjes së madhe të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u është dyfishuar buxheti në vitin 2019 dhe tani Kosova po hyn në etapën e bashkëpunimeve të reja me vendet perëndimore që kompani të mëdha filmike të vijnë e të realizojnë fila në vendin tonë.

“Buxheti jonë tashmë është dyfishuar. Ministri nuk ka pranuar rritje më të vogla. Kjo ka ndikuar shumë që të mbështesim më shumë projekte por edhe e ka rritur prezencën tonë ndërkombëtare. Besoj e keni vërejtur që filmi kohëve të fundit na ka sjellë shumë lajme të mira dhe përmes filmit kemi arritur ta tregojmë rrëfimin tonë për vendin tonë”, tha Zharku.

Të ngjashme