Dukolli: PZAP-ja dhe Supremja ia kthyen integritetin procesit zgjedhor

Prishtinë | 14 Nën 2019 | 17:42 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Supreme e Kosovës ka marr vendim që votat e ardhura nga Serbia të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Ky është lajm i mirë për Nismën Socialdemokrate e cila që nga fillimi ka konstatuar se ato vota janë të paligjshme dhe të kontrabanduara dhe se e njëjta ka fituar gjashtë mandate.

Anëtari i Kryesisë së Nismës, Çerkin Dukolli, tha për Ekonomia Online se vendimi i PZAP-së, por edhe i Gjykatës Supreme dëshmuan se Kosova është vend ligjor, ndërsa shton se kjo parti ka qenë e bindur që nga fillimi se votat nga Serbia erdhën në mënyrë të kundërligjshme.

“Ajo që mund të themi është se edhe vendimet e PZAP-së, para dy tre ditëve, po edhe ky vendim i sotëm i Gjykatës Supreme, dëshmoi se ka shtet ligjor  se këtu sundon ligji dhe se këto vendime kanë sjellë ligjshmërinë në vend dhe në një formë apo thënë saktësisht e kanë kthyer integritetin e procesit zgjedhor. Ne që nga fillimi kemi thënë kur kemi ngritur zërin se këto pako me zarfe të ardhura nga Serbia kanë ardhur në mënyrë të kontrabanduar dhe në mënyrë të kundërligjshme dhe për atë kemi bërë apelin tonë”, thotë ai.

Dukolli falënderon PZAP-në, por edhe Supremen për vendimet, që sipas tij ktheu legjitimitetin e procesit zgjedhor.

“Pra edhe sot duhet të shpreh në emër të Nismës, në emër të koalicionit të shprehi mirënjohje dhe respekt punës së gjithë atyre gjyqtarëve edhe PZAP edhe Gjykatën Supreme që me vendimet e tyre sollën ligjshmërinë dhe kthyen integritetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor  dhe të 6 tetori. Ne po përcjellim procesin zgjedhor, tani ka filluar procesi i numërimit mbi 1200 kutive, ne do të jemi në përcjellje të vazhdueshme të procesit të rinumërimit, deri në finale”, thotë ai.

Dukolli ka akuzuar VV-në se tentoi t’ua grabis mandatet e deputetëve.

“Përderisa ata kanë tentuar që me mandate të grabitin të shtojnë një numër të përfaqësimit në Kuvend, qëllimi ynë ka qenë krejt tjetër që të vihet ligjshmëria në vend. Ata kanë shfrytëzuar një të drejtë administrative por megjithatë është parë hipokrizia e tyre sepse në vazhdimësi janë thirrur në sundim të ligjit, përkundër asaj ata kanë apeluar një vendim i cili nuk ka pasur asnjë bazë ligjore”, thotë ai.

I pyetur nëse do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, Dukolli thotë se nuk kanë menduar për këtë çështje, pasi që kanë qenë të fokusuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Është shumë herët të bisedohet për  këtë çështje ideja jonë, prej pas procesit të zgjedhjeve. Nga 7 tetori deri më sot kur po flasim ka qenë që të vihet në binarë ligjshmëria  integriteti  i humbur i procesit zgjedhor. Ne jemi mirë ndihemi komod me punë që kemi bërë si parti edhe si koalicion, se në fund me apelet tona, gjyqësori veç e konfirmoi se integriteti procesit po kthehet dhe po shkon nga e mara. Ta shohim është shumë herët për këtë sigurisht që do të vendosin forumet e partisë, është kryetari dhe kryesia, por megjithatë deri në këto momente jemi shumë komod me përfaqësimin tonë në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht legjislatura e shtatë”, thoi ai.

Tani me rezultatin aktual, Nisma është pjesë e Kuvendit, por për këtë do të vendoset përfundimisht pas rinumërimit të 1428 vendvotimeve.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve veçse ka nisur zbatimi i vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e këtyre vendvotimeve.

Pritet që rinumërimi e certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do zgjasë deri në fillim të dhjetorit, pasi rinumërimi pritet të zgjasë rreth 3 javë.

Të ngjashme