Dy ditëlindjet e ushtarit

Prishtinë | 16 Shk 2020 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

17 Shkurti është ditë e festës së dyfishtë për Abdullah Musliun nga Reçaku. Në ditën kur Kosova feston dymbëdhjetëvjetorin e Pavarësisë, ish-ushtari i UÇK-së mbush 46 vjet. Kremtja e shpalljes së Pavarësisë mbetet më e veçanta në jetën e tij, edhe pse ishte një e diel e ftohtë, por me rreze dielli.

Pakkush e kishte ditur datën e saktë të shpalljes së mëvetësisë. Shumëkush kishte spekuluar pse liderët e vendit kishin ndarë mendjen ta shpallnin Kosovën shtet të pavarur në një ditë fundjave, shkruan Koha Ditore.

Në rrethin e shoqërisë së Musliut, atëherë pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ish-bashkëluftëtarët e kolegët e punës me humor do ta lidhnin datën e “lindjes” së shtetit më të ri në botë me ditëlindjen e Musliut.

“Ti ke pasë diçka me Hashimin”

“Ka pasur raste, por unë nuk ia la qysh me ia thanë vetes atë vlerë, ka raste kur në mënyrë humoristike më thonë ‘ka diçka Pavarësia me ditëlindjen tane’”, tregon Musliu para varrezave të dëshmorëve poshtë kazermës “Skënderbeu”, në dalje të Ferizajt. “Por unë nuk e ndërlidh me këtë, sepse unë kam qenë një faktor i vogël, sepse unë kam qenë vetëm ushtar. Por me humor shpesh më thonë shoqëria se është e ndërlidhur, sepse ‘ke pasë ti diçka, ke pasë diçka me Hashimin, me Ramushin, ke pasë kontakte ti’, domethënë në mënyrë spontane, në mënyrë humoristike e ndërlidhin me ditëlindjen time”

Shprehja “Hashimi e di datën” ishte njëra prej shprehjeve më të përfolura publikisht e privatisht krahas diskutimeve serioze për sfidat e dimrit të vitit 2008 para se Kosova do të pavarësohej nga Serbia bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Thaçi, pak muaj pasi ishte zgjedhur kryeministër, ia kishte marrë anën ish-presidentit Fatmir Sejdiu, duke lexuar Deklaratën e Pavarësisë. Kundërthëniet mbetën në hije të festës së madhe. Sheshet vlonin nga festimet e ndryshme pa ndonjë organizim të mirëfilltë institucional.

“Atë ditë kam qenë në Kuvendin Komunal të Shtimes, e kemi përcjellë shpalljen, dhe festimet kanë qenë prej krejt njerëzve. Por në mbrëmje kemi festuar në një restorant qysh e kemi traditë na, me shokë, familjarë, familjarë të dëshmorëve me muzikë, me shahira”, kujton Musliu, i cili punon në administratën e FSK-së.

Shpesh, mbrëmjeve me çiftelinë e sharkinë ia thotë këngës nëpër ndeja miqsh.

Të ngjashme