Dy mosnjohjet e LDK-së sipas Kurtit: fitorja e VV-së dhe kontributi i Vjosa Osmanit

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vlerëson se partneri i koalicionit, LDK-ja, nuk ishte e sinqertë në bashkëpunim.

Në intervistën dhënë në “Desku” të KTV-së, ai ka thënë se te LDK-ja kishte zyrtarë që nuk kishin as vullnet e as dëshirë, e që fatkeqësisht sipas tij, kishin shumë fuqi si në parti ashtu edhe në Qeveri.

“Unë besoj që te një pjesë e partnerit tonë të koalicionit, nuk ka ekzistuar as vullneti as dëshira për koalicion dhe ata fatkeqësisht patën shumë fuqi, edhe në parti edhe në Qeveri. Në programin qeverisës ishte e qartë se si duhej të ecej para”, tha Kurti.

Sipas tij, tarifa e përdorur nga LDK-ja si arsye për rrëzim të Qeverisë nuk ekziston.

“Tarifa mund të ketë qenë flamuri i kundërshtarëve, jo shkaku i kundërshtimit”, ka shtuar ai.

Kurti ka treguar edhe për tarifën e shumëpërfolur. Ai beson që tarifa do të hiqet sonte në mesnatë.

Ministrat kanë afat të votojnë për heqje ose jo deri pak pas orës 22:00. Mbledhja po mbahet me korrespodencë.

“Në 22.06 përfundon votimi në mbledhjen me korrespodencë, sonte besoj do të hiqet tarifa në mesnatë. Duhet t’i kemi 9 vota për, jemi 17 anëtarë tash”, tha i pari i Ekzekutivit.

Ai u ndal disa herë rreth çështjes LDK. Sipas tij, edhe sot po të kthehej puna nga fillimi nuk do të kishte mundësi të arrihej dakordimi.

“Nuk ka qenë e mundur të ketë dakordim, edhe sot të kthehemi nuk besoj. Ata përfunduan te qëndrimi se duhet të hiqet tarifa pa reciprocitet. Në Qeverinë tonë nuk e kishim Vjosa Osmanin, e cila po ashtu kishte garuar me tezen për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet. Nuk thuhej se duhej të ndryshohej programi qeverisës, por thuhej ndryshoje ti”, ka thënë Kurti.

Ai foli edhe për mënyrën se si bëri sipas tij, LDK-ja presion, duke përdorur kartën me SHBA-në.

“LDK-ja vazhdimisht e ka bërë konkrete këtë gjë, se SHBA do të tërheqë trupat, do të izolohemi, etj. E pyeta gjeneralin Risi, një njeri që e do edhe Kosovën edhe punën e vet, dhe tha se kurrfarë kërkese për tërheqje trupash amerikane nuk ka, është përdorur si mjet për shpërndarje paniku”, shtoi ai.

Kurti foli edhe për zërat nga SHBA-ja për tërheqje trupash, por sipas tij ishin pak.

“Ishte një senator që e tha në mënyrë eksplicite. Por në SHBA janë 104 senatorë e 404 kongresistë. Unë besoj që ata (LDK-ja v.j.) kanë qenë të interesuar të tërhiqen nga ky koalicion”.

Kurti tha se qysh para lidhjes së marrëveshjes për koalicion ndjente njëlloj mosbesimi e dëshirë nga ana e LDK-së. Porse ishte siguruar se ka besimin.

“E kam ndier njëfarë sikleti të madh që VV-ja doli e para. Ata kanë qenë shumë të bindur se do të dalin të parët. Janë dy mosnjohje të thella këtu: VV-ja i fitoi zgjedhjet dhe vazhdimisht thoshin të balancohemi, e keni vetëm një deputet më shumë. Por e kemi ditur se ne nuk do të fitojmë për 20 për qind, diferenca do të jetë e vogël. Aktgjykimi i Gjykatës na diktonte se kush del i pari merr shumë. Mosnjohja tjetër është se zonja Osmani është ajo që e ka shpëtuar nga pozicioni i tretë, ata nuk do të dilnin as të dytët”, tha Kurti.

Të ngjashme