Dy opsionet politike e kushtetuese pas dorëheqjes së Haradinajt

Prishtinë | 20 Kor 2019 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga detyra e kryeministrit të Kosovës, i ka zënë partitë politike në befasi, por vendi tashmë gjendet para dy opsioneve ligjore dhe kushtetuese se si të veprojë më tutje, vlerësojnë njohësit e aspekteve kushtetuese-ligjore,si dhe ata të çështjeve politike në Kosovë.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se për rastin konkret, Kushtetuta parasheh mundësinë e shkuarjes së menjëhershme në zgjedhje, ndërkaq, mundësia tjetër është nxjerrja e një mandatari të ri për kryeministër nga koalicioni qeverisës ekzistues.

“Mundësia më e mirë është ajo që thotë se Kuvendi duhet ta shpërbëjë veten dhe të shkohet në zgjedhje, sepse objektivisht, Kuvendi, i cili është organi legjitimues i Qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës, ka humbur rolin dhe funksionin e tij kushtetues për shkak të humbjes së legjitimitetit politik në mënyrë të konsiderueshme, për arsyet që tashmë dihen. Së dyti, është edhe mundësia tjetër, që të shkohet sikur pas zgjedhjeve”.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që spektri politik i Kosovës gjendet në një situatë mjaft të komplikuar, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga detyra e kryeministrit, për shkak se nuk është i përgatitur për zgjedhje.

“Prandaj, kjo do të jetë edhe çështja kryesore për krijimin e koalicionit të ri qeverisës pas zgjedhjeve. Pra, presionet ndërkombëtare do të luajnë rol shumë të madh, me të gjitha kombinatorikat politike, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që të krijohet një qeveri, e cila do t’i ngjante qeverisë që sapo shkoi, pra, që të jetë konfrontuese në raport me agjendat ndërkombëtare për rajonin tonë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme