Dy organizata kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të zv.kryeministres së Kurtit

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Qysh në ditën e dytë në pushtet të Qeverisë Kurti II, grupet e aktivistëve të pavarur nga organizatat “Dylberizëm” dhe “Replikë” kanë kërkuar shkarkimin e një ministreje.

Bëhet fjalë për Emilija Rexhepin, e cila përveç ministre është edhe zv.kryeministre e Tretë dhe do të merret me Çështje të Pakicave dhe me Të Drejtat e Njeriut.

Ajo kishte shprehur qëndrime kundër-kushtetuese duke u deklaruar kundër martesave të qytetarëve të seksit të njëjtë, dhe kjo ka nxitur organizatat që t’i dalin kundër.

Në këtë reagim kërkohet shkarkimi i menjëhershëm i zv.kryeministres Rexhepi dhe emërimi i një personi që kauzën për të Drejta të Njeriut, e ka “të përbrendësuar në mendime dhe veprime, pa përjashtime,”

“Emilija Rexhepi nga partia NDS gjatë vitit 2019 në intervistën dhënë për Kallxo.com, është deklaruar se është kundër martesave mes gjinisë së njëjtë. Kjo dëshmon që Zëvendëskryeministrja e Kosovës, e caktuar për të punuar në çështjet e të drejtave të njeriut, ka qëndrime homofobike dhe nuk beson në barazi për të gjithë njerëzit. Emërimi i një homofobeje në pozitën e zv. Kryeministres për çështje të pakicave dhe të Drejtave të Njeriut është tejet shqetësuese dhe e rrezikshme për respektimin e të drejtave të njeriut, më saktësisht të drejtat e komunitetit LGBTIQ+”, thuhet në reagim.

Kurti ka marrë pjesë në marshin e 8 marsit për herë të parë, ku valëviteshin edhe flamuj të komunitetit LGBTIQ.

Sidoqoftë, ai është kritikuar më herët se përkundër qëndrimeve të deklaruara progresive nuk kishte mbështetur kauzat e tyre duke ‘flirtuar’ me komunitetin mysliman.

Kërkesa e plotë nga Dylberizm dhe Replikë:

Emilija Redžepi nga partia NDS gjatë vitit 2019 në intervistën dhënë për Kallxo.com, është deklaruar se është kundër martesave mes gjinisë së njëjtë. Kjo dëshmon që Zëvendëskryeministrja e Kosovës, e caktuar për të punuar në çështjet e të drejtave të njeriut, ka qëndrime homofobike dhe nuk beson në barazi për të gjithë njerëzit. Emërimi i një homofobeje në pozitën e zv. Kryeministres për çështje të pakicave dhe të Drejtave të Njeriut është tejet shqetësuese dhe e rrezikshme për respektimin e të drejtave të njeriut, më saktësisht të drejtat e komunitetit LGBTIQ+.

Duke pasur parasysh shtypjen sistematike dhe rrethanat homofobike e transfobike me të cilat komuniteti LGBTIQ+ përballet çdo ditë në shoqërinë tonë, emërimi i saj në këtë pozitë vetëm sa e rritë shtypjen dhe diskriminimin që i bëhet personave LGBTIQ+ nga institucionet dhe shoqëria kosovare, dhe lë hapësirë për shqetësim të kthimit mbrapa të punës shumëvjeçare të institucioneve dhe shoqërisë civile mbi avancimin e të drejtave LGBTIQ+ në vend.

Ndonëse ka bindje të ndryshme për martesën si insitucion, ne besojmë se çdo person duhet të jetë i barabartë para ligjit dhe t’u ofrohen mundësi të njëjta, të gjithëve pa dallim.

Ne si Dylberizm dhe Replikë kërkojmë nga Kryeministri Kurti shkarkimin e menjëhershëm të Emilija Redžepi nga kjo pozitë, si dhe emërimin e një personit që kauzën për të drejtat e njeriu e ka të përbrendësuar në mendime dhe veprime, pa përjashtime.

Trajtimi i njëjtë ligjor dhe transformimi feminist i institucioneve për të lejuar liri më të madhe të shprehjes jashtë roleve tradicionale gjinore duhet të jetë prioritet i çdo qeverie e cila thirret në vlera progresive demokratike dhe në barazi sociale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme