E cilësoi “kriminale” KPK-në, Basha lëvdon kryeministrin për operacionet e prokurorisë

Prishtinë | 08 Pri 2022 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është aktivizuar në lëvdata për punën e Qeverisë së Kosovës, një ditë pasi e vlerësoi si “kokë të krimit” Këshillin Prokurorial të Kosovës, organin më të lartë brenda sistemit prokurorial.

Të gjitha meritat për operacionet e Prokurorisë së Shtetit, Inspektoratit Policor e Policisë së Kosovës, që rezultuan me dhjetëra zyrtarë të arrestuar javëve të fundit, ligjvënësi nga Ferizaj ia ka rezervuar kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së udhëhequr prej tij.

Sipas Bashës, “treni” i arrestimeve do të çojë në kapjen e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”.

“Miq, ky tren vetëm çka vie duke marrë shpejtësinë dhe më nuk ka të ndalur deri sa t’i fshin përpara edhe peshqit e mëdhenjë. Nuk ka individ, sa do i fuqishëm, që e ndal këtë tren”, tha Basha.

“Po arrestohen policë, doganierë e zyrtarë tjerë të korruptuar, dhe po lëshohen vende për gjenerata të reja që po presin në radhë me i shërby atdheut”, ka thënë deputeti.

Ai, ka thënë se rajoni do ta ketë zili Kosovën nëse qeverisja e Kurtit vazhdon me të njëjtin ritëm për dhjetë vite të tjera, shkruan Paparaci.com

“Mos harroni, kemi vetëm NJË VIT, dhe tash mendone Albinin në krye për 10 vite me t’njejtën tempo? Do na e kenë zili rajoni, dhe jo vetëm”, ka thënë ai, duke mos shprehur asnjë kritikë për punën e qeverisë.

Të enjten, deputeti Basha e cilësoi “kokë të krimit” Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Të ngjashme