E dëmshme përfshirja e Kosovës në konfliktin Palestinë-Izrael, Sadiku: Të tregohemi neutralë

Prishtinë | 15 Maj 2021 | 14:42 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një përfshirje e mundshme e Kosovës në konfliktin mes Palestinës dhe Izraelit po e konsideron të panevojshme dhe të dëmshme, politologu dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, raporton Ekonomia Online.

Lidhur me përplasjet e dhunshme të fundit izraelito-palestineze, Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk ka reaguar për të shprehur çfarëdo qëndrimi.

Sadiku ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se marrja e një pozicioni nga Kosova ndaj këtij konflikti do t’i kushtonte në të ardhmen, andaj sipas tij Ministria e Punëve të Jashtme duhet të tregohet neutrale në këtë situatë.

“Kosova nuk duhet të marrë ndonjë pozicion të caktuar sepse dihet që Kosova është shtet që ende nuk e ka përmbushur shtetësinë e saj, është ende e papranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe zakonisht marrja e një qëndrimi të caktuar në konfliktin Izrael-Palestinë nënkupton që ti je aleate e njërës palë dhe kundërshtare e palës tjetër, për çka Kosovës mund t’i kushtojë në të ardhmen për shkak se Kosova ende ka nevojë për miq dhe njohje të reja të cilat janë shtete që kanë raporte të mira me Izarelin apo Palestinën”.

“Konsideroj që Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ketë një qëndrim neutral dhe mos të përfshihet aq shumë lidhur në konfliktin në fjalë veçse duhet të dënojë dhunën në civil pavarësisht se ndaj kujt bëhet, janë ata qytetarë palestinez apo izraelit”, është shprehur ai.

Tensionet dhe më pas përleshjet ndërmjet forcave të Izraelit dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor, të cilat në ditët e fundit janë përshkallëzuar në luftime të ashpra, kanë nxitur reagime në Kosovë, kryesisht përmes rrjeteve sociale. Madje, të premten, më 14 maj, në Prishtinë u mbajt një marsh mbështetës për palestinezët, ku u kërkua që të ndalen luftimet dhe të lirohen të burgosurit.

Të panevojshme Sadiku po i konsideron edhe reagimet e qytetarëve për raportet aktuale mes Palestinës dhe Izraelit.

Politologu po ashtu thekson se gjendja atje nuk është aspak e ngjashme me të kaluarën e Kosovës.

“Janë të panevojshme reagimet e qytetarëve kosovarë ndaj këtij konflikti sepse ky konflikt ka ndodhur në vazhdimësi dhe ideja e këtij konflikti është më e thellë se sa që ne realisht mendojmë pasi ky konflikt përveç se është konflikt me tipare nacionale, etnike, religjioze, konsideroj që theksin dhe burimin kryesor e ka territorial dhe religjioz andaj nuk ka të bëjë asnjë krahasim ky konflikt nuk krahasohet me Kosovën, për arsye se Kosova siç dihet ka dalë nga një luftë për liri e pavarësi. Pas saj ka pasur një periudhë të tranzicionit apo administrimit ndërkombëtar 8 vite me ç’rast është i vetmi vend unik në botë i cili pas një periudhe tranzicioni prej 8 vitesh nga bashkësia ndërkombëtare ka arritur të shpallë shtetin në mënyrë të njëanshëm dhe është e njohur nga më shumë se 100 shtete”, ka shtuar ai.

Sadiku ka komentuar edhe thirrjen e ish të dërguarit Special të ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për reagim nga ana e kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani për konfliktin mes dy vendeve të Lindjes.

Sipas Sadikut institucionet e Kosovës, shoqëria civile dhe qytetarët kosovarë duhet të reagojnë vetëm për dhunën e ushtruar ndaj civilëve të pafajshëm, por jo të mbështesin njërën palë.

“Është një di balancë në kuptim e qëndrimeve mes ShBA-së dhe Bashkimit Evropian dhe sigurisht që Kosova meqenëse tenton të anëtarësohet në BE  me të drejta të plota si shtete e tjera sigurisht që në epiqendrën tonë të politikëbërjes duhet ta kemi së pari me Bashkimin Evropian pastaj edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por ajo çka mundet Kosova me u deklaruar është që vetëm të dënojë dhunën e cila shfaqet ndaj civilëve të pafajshëm pavarësisht nga cila palë vijnë ata. Institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile dhe ne si qytetarë duhet të dënojmë vetëm dhunën dhe jo të mbështesim njërën pale”, ka përfunduar ai për EO.

Përleshjet ndërmjet forcave izraelite dhe palestinezëve nisën mbrëmjen e 7 majit. Mbi 220 persona, shumica palestinezë, u lënduan, pasi policia izraelite hyri në xhaminë Al-Aksa pasi thanë se palestinezët kishin hedhur në drejtim të tyre gurë dhe fishekzjarrë.

Të ngjashme