E katërta ditë në Amerikë, Kurti ka zhvilluar vetëm një takim zyrtar deri tash

Prishtinë | 09 Maj 2022 | 22:02 | Nga Ekonomia Online

Tash e katër ditë, kryeministri Albin Kurti po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën priti gati gjysmë viti. Gjatë këtyre ditëve, ai ka zhvilluar vetëm një takim zyrtar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net

Mëngjesin e së premtes, kreu i Qeverisë nisi vizitën zyrtare në Amerikë. Për këtë vizitë njoftoi Zyra e Kryeministrit, ku u tha se Kurti do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

Por deri tash, Kurti ka zhvilluar takim vetëm me Drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Përmes një postimi në Twiter, Kurti tha se ka biseduar me Albright për nisjen e negociatave të Kompaktit të Kosovës.

“Një nder i veçantë për t’u takuar@MCC_CEO Znj. Alice Albright dhe për të nisur negociatat të Kompaktit të Kosovës. E falënderova për punën e palodhshme të MCC-së për të mundësuar Kompaktin, i cili do të bëhet investimi më i madh në sektorin e energjisë në Kosovë dhe që ripohon lidhjen e ngushtë që ndajnë vendet tona”, shkroi Kurti.

Bazuar në llogaritë e tij zyrtare në rrjete sociale, ndonjë takim tjetër s’ka zhvilluar ende. Së paku në Facebook e Twitter s’ka njoftuar për ndonjë të tillë.

Ndryshe, muaji nëntor i vitit të kaluar, ishte caktuar për vizitën e të parit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit, për në Amerikë. Por, kjo vizitë ishte shtyrë për këtë vit.

Lajmin e kishte bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili kishte njoftuar se vizita do të realizohej në pjesën e parë të vitit 2022.

”Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Washingtonin’’, kishte deklaruar Kryeziu.

Për shtyerjen e kësaj vizite, ishte deklaruar edhe vetë Kurti disa herë, pas pyetjeve të gazetarëve. Sa herë që pyetej se kur do të shkonte atje, ai sugjeronte që të pyetej Shefi i Stafit të tij, Luan Dalipi.

“Shefi i stafit të kryeministrit, z.Luan Dalipi është duke e përgatitur vizitën time në SHBA në fillim të vitit të ardhshëm, mirëpo ne nuk do të njoftojmë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë”, tha Kurti.

“Do të shkoj besoj në muajin maj, do të zhvilloj takime me administratën Biden dhe diasporën tonë, unë i njoftoj ata paraprakisht, ata më mirëpresin, organizohen takimet, verifikohet agjenda, por, që ju do ta dini paraprakisht”, kishte deklaruar Kurti.

Kishte deklaruar se në Amerikë do të qëndrojë 10 ditë apo dy javë, pasi është vend i madh për të qëndruar vetëm dy-tri ditë.

“Sa i përket vizitës në SHBA, besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike, sepse nuk mund të shkojë për tri ditë atje. Dua të shkoj për 10 ditë ose dy javë, sepse është edhe një shtet më i madh, por edhe takimet që dua t’i bëj atje do jenë edhe më të shumta se sa në Evropë, ku mund të shkosh edhe për dy ditë”, u kishte thënë Kurti gazetarëve në muajin mars kur ishte pyetur se kur do të udhëtojë për vizitë zyrtare në ShBA.

Të ngjashme