E shkarkoi Gërvalla, Isufaj: Nuk flas, po merrem me ankesën

Prishtinë | 08 Pri 2022 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Konsulli që përfaqësonte Kosovën në New York, Frymëzim Isufaj e që u shkarkua nga kryediplomatja Gërvalla para disa ditësh, do të parashtrojë ankesë për vendimin që ai e ka quajtur arbitrar. Kështu tha diplomati i karrierës Isufaj në një përgjigje me shkrim kur u pyet se si e komenton shkarkimin e tij.

“Jam në proces të ankesës e për atë nuk desha të flisja më shumë në këtë fazë”, tha shkurt ai.

Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Punëve të Jashtme nëse kanë gjetur zëvendësimin e Isufajt për Konsullatën në New York por siç është praktika e deritanishme, kjo ministri nuk u përgjigj.

Për shkarkimin e tij, Isufaj pati një reagim të ashpër në llogarinë e tij në Facebook duke e quajtur shkarkimin e tij si ndërprerje të paarsyetuar të mandatit.

“Përveç ndërprerjes së parakohshme dhe të pa arsyetuar të mandatit tim të rregullt, përmes vendimeve të paligjshme, dëshirojnë që të pamundësojnë edhe vazhdimin e marrëdhënies së punës si diplomat karriere në institucionin në të cilin kam shërbyer afërsisht në 10 vitet e fundit. Për hir të mbrojtjes së kredibilitit të institucionit, si diplomat karriere i cili i ka shërbyer një kohë të gjatë për institucionet e shtetit tonë, e të cilat janë ngritur me shumë mund e sakrificë, unë do ta respektoj këtë vendim pa komentuar motivin e nxjerrjes së tij. Megjithatë, betejën ligjore për të dëshmuar paligjshmërinë e këtij vendimi, do ta vazhdoj tek institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, të cilat besoj se do të jenë të pavarura në trajtimin e lëndës duke vendosur drejtësi në këtë çështje”, kishte thënë ai pas njoftimit se është shkarkuar.

Të ngjashme