E shkeli ligjin, Donika Gërvalla detyrohet ta anulojë konkursin për 32 diplomatë

Prishtinë | 05 Tet 2022 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka anuluar konkursin për tridhjetë e dy zyrtarë të misionit diplomatik.

Vendimi i ministres Donika Gërvalla-Schwarz vjen pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës konstatoi se shpallja e rekrutimit të 32 zyrtarëve të misionit diplomatik është bërë në kundërshtim me ligjin, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu, Këshilli kishte vlerësuar se rekrutimit nuk i ka paraprirë një procedurë e brendshme e lëvizjes paralele në kuadër të shërbimit civil.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e MPJD-së për anulimin e këtij konkursi, që është marrë të martën e 4 tetorit.

“Në zbatim të vendimit nr.52/2022 të datës 20.09.2022 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, anulohet konkursi I datës 01.07.2022 me nr.prot 2436 për 32 (tridhjet e dy) zyrtarë të misionit diplomatik, shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.”, thuhet në njoftimin e siguruar nga Demokracia.com.

Në ditën e parë të korrikut, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës hapi një konkurs për pranimin e 32 zyrtarëve të misionit diplomatik.

Të ngjashme