Edhe 61 dosje për krimet serbe i dorëzohen Prokurorisë Speciale

Prishtinë | 19 Nën 2018 | 13:50 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi i shoqërisë civile për grumbullimin e dëshmive për krime lufte dhe përgatitjen e kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës së viteve 1998/99, për herë të shtatë ka dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës – Departamenti për krime Lufte.

Shkëndije Hoda, udhëheqëse e këtij grupi, ka thënë se deri me tash kanë dorëzuar rreth 61 dosje, ndërsa e ka quajtur sukses procesin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të krimeve të luftës në Gjakovë.

Ajo ka apeluar që të gjitha komunat tjera me raste të tilla të fillojnë mbledhjen e dosjeve, raporton Ekonomia Online.

“Janë diku 61 dosje me 100 dëshmi. Ne po vazhdojmë ende të marrim dëshmi nga qytetarët e komunës së Gjakovës,  gjë që po shohim se kemi edhe përkrahjen e Prokurorisë dhe policisë për krime lufte”.

“Tek ne në komunën e Gjakovës vetëm kanë filluar që policia e krimeve të luftës të marrë dëshmitarët në pyetje dhe kjo është një sukses, sepse shihet që është interes jo vetëm për qytetarin por edhe për vetë shtetin”, tha ajo.

Ata kanë thënë se do të vazhdojnë me këtë ritëm deri në dosjen e fundit derisa kanë apeluar edhe komunat e tjera të veprojnë ngjashëm.

“Ne do të vazhdojmë edhe vitin tjetër deri sa të përfundojmë dosjen e fundit për atë çka ka ndodhë në atë makabër qe ka ndodhë në komunën e Gjakovës. Edhe komunat e tjera që kanë pasur rast të njëjtë si në Gjakovë, le ta bëjnë të njëjtën gjë sepse historia duhet ta zbardhë të vërtetën atë çfarë ka ndodhë në Kosovë”, tha ajo.

 

Të ngjashme