Edhe Ahmeti largohet nga tryeza, Hoxhaj thotë se është koha e fundit që të arrihet konsensus

Prishtinë | 04 Kor 2018 | 19:19 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, është larguar nga tryeza e organizuar nga Instituti “Grupi Ballkanik për Politika”, në të cilën janë ftuar liderë dhe përfaqësues të subjekteve politike për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

Ahmeti tha se nuk ka nevojë për ekip uniteti, kur për dialog është Kuvendi i Kosovës. Më herët, tryezën e lëshoi edhe Lutfi Haziri nga LDK-ja, ndërsa Vetëvendosje nuk shkoi fare, raporton Ekonomia Online.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës e quajti këtë një takim të mirë dhe konsideron se është koha e fundit që të arrihet një konsensus për dialogun. Sikur dihet, opozita nuk po pajtohet që dialogu të udhëhiqet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pasi e ka lëshuar më herët tryezën, Ahmeti tha para gazetarëve se ky ishte një tentim i radhës i shoqërisë civile që të arrihet një marrëveshje për dialogun me Serbinë.

“Që në fillim ky tentim dështoi ngase nuk morën pjesë as kryetarët e PDK-së, AAK-së dhe dalja e LDK-së nga tryeza. Qëndrimet e qeverisë dhe koalicionit janë shumë të largëta për këtë konsensus”, tha kreu i PSD-së.

Sipas kryetari të Prishtinës, tryezat e tilla vetëm po largojnë partitë nga konsensusi. Ai theksoi se nëse thirren takime takime të këtilla në të ardhmen nuk do të marrin pjesë fare.

“Partitë prezantuan qëndrimet e veta me të cilat ne nuk u pajtuam. Besoj që iniciativa të tilla po konsumojnë arritjen e një marrëveshje. Nuk bëhet nevojë për ekip uniteti kur kemi Kuvendin për dialogun. Nuk u dakorduam për takime tjera mirëpo nëse janë të tilla nuk marrim pjesë”, deklaroi Ahmeti.

Kurse, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e quajti një takim shumë të mirë, megjithëse e pranoi se ka shumë dallime ndërmjet subjekteve politike.

“Të gjithë e mbështesim dialogun, por dy kriteret janë njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në OKB”, tha Hoxhaj.

Sipas tij, pas marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, fokusi i Komisionit Evropian do të kthehet te Kosova. “Dhe epilogu i dialogut është njohja e ndërsjellë”.

Në lidhje me mospjesëmarrjen në tryezë të krerëve të partive kryesore politike, Hoxhaj tha se kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradiaj kanë pasur një agjendë tjetër.

“Ne kemi qenë përfaqësuesit e tyre. Përpjekja jonë është shumë serioze dhe partitë politike në opozitë dhe pozitë janë bashkë për dialogun dhe është koha e fundit që të arrihet dialogu”, theksoi Hoxhaj.

Të ngjashme