Edhe AKR-ja e Pacollit voton për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosova e Re (AKR) ka njoftuar se lideri i tyre Behgjet Pacolli ka pasur një bisedë telefonike me kryetarin e Lidhjes Demokratike, IsaMustafa, në lidhje me mocionin e mosbesimit që kjo e fundit do të paraqesë në Parlament për rrëzimin e Qeverisë Kurti, shkruan EO.

Në një komunikatë shtypi, AKR thotë se është parti opozitare, konstruktive dhe shtetformuese.

“Eksperienca jonë gjatë muajve të fundit në Parlamentin e Kosovës nuk ka qenë fare e mirë. Ka munguar çdo kontakt (edhe human) me partitë qeveritare, (pos disa deputetëve të LDK-së). Në këtë rast, ne nuk do të qëndrojmë të vetmuar dhe do të votojmë mocionin e ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës”.

“Kjo qeveri po e rrëzon veten në kohën më të keqe të mundshme. Vendi ka nevojë për qeveri që iu shërben qytetarëve në këtë kohë krize ku po përballemi me pandemi botërore, e jo për qeveri që merren me kriza artificiale, me njëri-tjetrin”.

“Z. Behgjet Pacolli ka pranuar një telefonatë nga z. Isa Mustafa dhe ia ka prezantuar qëndrimin e AKR-së”, theksohet në njoftimin për shtyp.

Të ngjashme