Ambasada e ShBA-së tërhiqet nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës

Prishtinë | 16 Gus 2019 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është larguar nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës për shkak se në krye të saj është zgjedhur para disa muajve Naser Shala, ish-komandant i UÇK-së, të cilin ambasadat e huaja e konsiderojnë si të pakualifikuar.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka njoftuar se sot është larguar nga Bordi i AKKVP.

Me këtë rast ai ka kujtuar një postim që ambasada e tij e kishte bërë ditën kur Shala u zgjodh në krye të këtij bordi.

“SHBA ka dhënë dorëheqje nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, sikurse Britania e Madhe ka bërë më parë. Nuk do të vazhdojmë të jemi pjesëmarrës kur udhëheqja e saj u shërben interesave personale dhe politike më shumë se sa njerëzve. Përzgjedhja e e të njohurve të pakualifikuar në pozita qeverisës e lëndon imazhin e Kosovës dhe e tradhton besimin e publikut”, ka shkruar Kosnett në Tëitter.

Ndërkaq, në një reagim për media, Shala ka thënë se nuk jep dorëheqje për arsyet e theksuara nga ambasadorët, Philip Kosnett e Ruairi O’Connell.

Lidhur me reagimet e Kosnett dhe O’Connell për aftësitë e tij, Shala ka thënë se ai i jep përgjegjësi vetëm Kuvendit të Kosovës, që votoi pro emërimit të tij në krye të agjencisë shtetërore rreth gjashtë muaj më parë.

“Unë do të vazhdojë të mbaj pozitën, të përkushtohem maksimalisht në zotërimin e saj, mirëpres besimin dhe durimin nga ana juaj që rezultatet e punës sime të jenë ato të cilat do të vlerësojnë kualifikimin tim, marrjen e pozitës me apo pa meritë”, ka deklaruar Shala.

Javën e kaluar, ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, kishte kërkuar dorëheqjen e Naser Shalës nga pozita e drejtorit të agjencisë shtetërore.

“Rrugë e duhur për të gjithë të emëruarit e pakualifikuar është dorëheqja. Është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për t’i dhënë fund korrupsionit dhe nepotizmit”, shkroi Kosnett në Tëitter javën e kaluar.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë zgjedhur ish-komandant “Ftyrën” në këtë pozitë rreth gjashtë muaj më parë. Ai për këtë pozitë të rëndësishme kishte dy kundër-kandidatë, por arriti që të marrë besimin nga deputetët e Kuvendit.

Shala për të njëjtin post kishte kandiduar edhe vitin e kaluar, por që nuk kishte arritur t’i merrte votat e mjaftueshme për të marrë drejtimin e Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronave.

Shala kishte qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”. Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.

Ndërkaq, Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht në maj të vitit 2017 kishte vërtetuar pafajësinë e këtyre të akuzuarve.

Por emri i Shalës ishte përfshirë edhe në një rast tjetër. Emri i tij ishte përdorur nga Adem Grabovci për ta frikësuar atë kohë, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin.

Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”.

Insajderi kishte publikuar hulumtimin “Dosja e Shefave” ku aty ishte dëshmuar komunikimi mes Grabovcit dhe ‘Ftyrës”, pavarësisht se drejtori i ri për Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, kishte qenë në paraburgim.

Në bisedë telefonike, ish-shefi i PDK-së në Kuvend të Kosovës, i tregonte ‘fytyrës’ se me emrin e tij ia kishte përmendur Jakup Krasniqit. Sipas Grabovcit më pas, Krasniqi ishte dorëzuar. /Insajderi.com

Të ngjashme