Edhe Kosova në samitin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor

Prishtinë | 04 Kor 2018 | 16:58 | Nga

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka marrë pjesë në samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Vjenë të Austrisë.

Sipas njoftimit nga MF-ja, samiti vjen si vazhdimësi e procesit të Berlinit dhe ka për qëllim t’i diskutojë zhvillimet ekonomike të vendeve të rajonit me qëllim të bashkëpunimit dhe të lehtësimit në qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në njoftim theksohet se Hamza ka diskutuar për hapat që Qeveria e Kosovës ka marrë për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal dhe financiar dhe për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes. “Më tej, ai theksoi sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohet sektori privat për të pasur qasje në financa dhe në këtë kuadër ftoi të gjitha Institucionet Financiare Ndërkombëtare që të ofrojnë mbështetje dhe të ofrojnë produkte të reja financiare për të cilat kanë nevojë bizneset në Kosovë”.

Hamza ka përmendur edhe hapat që ka marrë Kosova për t’i mbështetur gjitha nismat në favor të shtrirjes së formave të veprimtarive ekonomike digjitale në vend.

Në takim ka marrë pjesë edhe Komisioneri Evropian Johannes Hahn.

Në fund të njoftimit theksohet se “pjesëmarrësit u pajtuan për progresin e arritur në zbatimin e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, në kuadër të katër fushave të këtij plani; në tregti, investime, mobilitet dhe integrim digjital”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme