Edhe një deputet i pavarur përkrah rrëzimin e Qeverisë

Prishtinë | 16 Pri 2017 | 12:57 | Nga

Deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi ka thënë për Gazetën Express se do ta përkrahë rrëzimin e Qeverisë të iniciuar nga NISMA për Kosovën. Ai ka deklaruar se do të votojë kundër demarkacionit për shkak se Kosova humbë tokë.

Pos tre deputetëve të PDK-së – Shaip Muja, Shukri Buja e Nait Hasani– rrëzimin e Qeverisë do ta përkrahë edhe një deputet i pavarur.

Deputeti Gëzim Kelmendi ka thënë se do ta nënshkruajë mocionin e Opozitës për rrëzimin e Qeverisë. Ka thënë se Qeveria e udhëhequr prej Isa Mustafës ka dështuar në proceset kryesore në vend. Ka përmendur dështimin e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, asociacionin, zhvillimin ekoniomik, dështimin për formimin e ushtrisë.

“Mocioni do ta përkrahi dhe Qeveria ka dështuar në themelim të ushtrisë. Do ta përkrahi. Është koha për rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë Kelmendi, të dielën, për Express.

Ky deputet që kishte hyrë në Parlament përmes listës së PDK-së e cila kishte koalicion me Partinë e Drejtësisë, ka thënë, po ashtu, se do të votojë kundër demarkacionit me arsyetimin se Kosova humbë tokë. Aktualisht, Kelmendi është Kryetar i Partisë “Fjala”.

Rrëzimin e Qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit e ka nisur NISMA për Kosovën, parti kjo e udhëhequr prej Fatmir Limajt.

Edhe Vetëvendosje dhe AAK e kanë përkrahur NISMA-n për Kosovën që të rrëzojnë Qeverinë e udhëhequr prej Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Koalicioni PDK-LDK i lidhur para dy viteve ka dështuar të marrë ndonjë vendim lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kusht ky për liberalizimin e vizave. Veç kësaj, pozita ka dështuar të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka dështuar edhe të themelojë ushtrinë.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa kanë paralajmëruar se nëse dështon kalimi i demarkacionit në Parlament, atëherë, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Është paralajmëruar se këtë muaj demarkacioni do të dalë në Parlament për votim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme