Edhe sipas shifrave të Kurtit rritja ekonomike është përgjysmuar: Vjet ishte 10,53%, sivjet në tremujorin e parë 4,9% pasi që të hiqet inflacioni

Prishtinë | 07 Sht 2022 | 22:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri dhe kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka marrë sot pjesë në Kuvendin e parë zgjedhor të partisë “Guxo”.

Ai i ka uruar për procesin e suksesshëm zgjedhor dhe për “standardin e lartë demokratik” brenda kësaj partie. Në vazhdim Kurti ka theksuar se ashtu siç kanë fituar bashkë me 14 shkurt edhe po punojnë bashkë për ta zhvilluar vendin përmes punësimit e për t’ia kthyer dinjitetin qytetarëve përmes drejtësisë.

Pasi ka renditur shumë punë e sukses, që sipas tij, janë kryer nga ky koalicion qeverisë, Kurti e ka pranuar se sivjet rritja ekonomike është përgjysmuar.

“Vitin e kaluar e kemi mbyllur me 10,53% rritje ekonomike, kurse në tremujorin e parë të këtij viti kemi rritje ekonomike prej 4,9% pasi që të hiqet inflacioni”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit, Albin Kurti, mbajtur në Kuvendin e parë zgjedhor të partisë Guxo:

E nderuar zëvendëskryeministre, znj. Donika Gërvalla Schwarz,
I nderuar ministër z. Faton Peci,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar delegatë e anëtarë të partisë Guxo,

Mirë se po ju gjej në këtë Kuvend të parë qendror zgjedhor të partisë suaj.

U uroj për zgjedhjet e suksesshme nëpër degë, ku zgjodhët udhëheqësit e delegatët e rretheve. Në këtë ditë, krahas organizimit të procesit zgjedhor, duhet festuar edhe standardin e lartë të arritur brenda partisë, që i kontribuon demokracisë sonë të re.

Asaj demokracie që duhet t’i shërbejë qytetarit, dhe të mirës sonë të përgjithshme. Krahas vëmendjes për struktura e organizim, po aq vëmendje po i ipet edhe qytetarisë aktive e qeverisjes. Me angazhimin në vlera të përbashkëta e parime universale, dhe me ndershmëri e respektim të njëri-tjetrit.

Jam i lumtur që sot shoh shumë gra dhe vajza, të rinj e të reja, që do ta shpijnë përpara barazinë dhe zhvillimin në shtetin tonë. E, që do të ecin bashkë drejt idealit për barazi gjinore, pa të cilën nuk kemi as barazi shoqërore.

“Gjërat e pamundura nuk ndodhin kurrë vetëm”, e thotë nobelisti portugez Saramago. Të qenurit bashkë na e solli edhe fitoren e 14 shkurtit. Të prirur për ta zhvilluar vendin përmes punësimit, dhe kthimin e dinjitetit të qytetarëve përmes drejtësisë.

Prioritet kryesor në drejtësi mbetet vettingu i sistemit të drejtësisë dhe këtë do ta bëjmë bashkë me Kuvendin. Në 1/3 e mandatit së bashku kemi kaluar mbi 150 ligje në qeveri e më pas në Kuvend. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 ligje.

Kemi vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbi 700 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, mbi 2000 persona të arrestuar, prej të cilëve afër 300 janë zyrtarë publik; 65 grupe kriminale të shkatërruara e 1,5 ton narkotikë të konfiskuar. Andaj, duhet të vazhdojmë këtë punë kaq të mirë bashkë.

Vitin e kaluar e kemi mbyllur me 10,53% rritje ekonomike kurse në tremujorin e parë të këtij viti kemi rritje ekonomike prej 4,9% pasi që të hiqet inflacioni.

Kemi ngritur mirëqenien sociale me një sërë masash të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. E këtë të shtunë prezantuam edhe pakon prej 150 milionëve për përballje me inflacionin, nga e cila do të përfitojnë 300 mijë familje dhe rreth 600 mijë qytetarë.

Kjo është pakoja e dytë për qytetarë në 6 muajt e fundit, paralelisht me: rritjen prej 30% të asistencës sociale për 25 mijë familje, rritjen prej 11% të pensioneve bazike, 33% të pensioneve të personave me aftësi të kufizuara, shtesat për mbi 170 mijë fëmijë, shtesat për lehona për mbi 20 mijë nëna të reja, e subvencionimin e faturave të energjisë elektrike. Kemi miratuar në lexim të parë ligjin për rritjen e pagës minimale nga 130 përkatësisht 170 euro, në 264 euro, për herë të parë në 11 vite.

Për vetëm një vit e gjysmë më këto pako, kemi ndarë gjithsej rreth 750 milionë euro, 4% të bruto produktit vendor vjet, e 5% të bruto produktit vendor sivjet. Pra, kjo është qeverisja e përbashkët e qytetarëve të Republikës, e për nga subjektet politike, e subjektit që unë përfaqësojë dhe e partisë Guxo.

Bashkërisht po zbatojmë reforma në bujqësi, me qëllim ngritjen e prodhimit, cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, si dhe ringjalljen e fshatit. Arsimin përveçse e kemi bërë falas, e kemi ngritur buxhetin për të për mbi 12% me qëllim të rritjes së cilësisë.

Kemi zgjeruar lidhjet e Republikës sonë me botën dhe kemi kthyer Kosovën në integrimet euro-atlantike dhe ndërkombëtare.

Me lejoni ta falënderoj përzemërsisht zëvendëskryeministren dhe ministren e punëve të jashtme, znj. Gërvalla Schwarz, për përpjekjet e përbashkëta të deritanishme dhe për të arriturat e pamohueshme

Gjithashtu e falënderoj edhe ministrin e Bujqësisë, z. Faton Peci, zëvendësministrat, deputetët e Kuvendit, asambleistët e Kuvendeve komunale e anëtarët e partisë Guxo, për secilën punë të mirë që po e bëjmë bashkë për qytetarin, e po punojmë pa kursim, pa rezervë e pa pushim.
U përgëzoj të gjithëve për angazhimin me dije e me integritet, me punë dhe përkushtim, për partinë që përfaqëson po këto vlera.

U dëshiroj punë të suksesshme të Kuvendit zgjedhor. Me guxim jeni ngritur, me guxim po vazhdoni, me guxim do të fitoni.

Ju priftë e mbara!

Të ngjashme