Edhe Vetëvendosje premton se do të rivitalizojë Trepçën

Mitrovicë | 05 Qer 2017 | 12:51 | Nga

Vlora Haxhihmemedi në Mitrovicë premton se me qeverisjen e VV-së do të rivitalizohet Trepça

Vetëvendosje po mban sot tubim zgjedhor në qytetin e Mitrovicës. Aty është i pranishëm kandidati për kryeministër, Albin Kurti, si dhe kandidatë për deputetë.

Në këtë tubim, mitrovicasve iu është drejtuar kandidatja për deputete, Vlora Haxhimehmedi, e cila fjalën e saj e ka filluar duke rikujtuar rëndësinë e Trepçës për ekonominë e Kosovës. Haxhimehmedi premtoi rivitalizimin e këtij gjiganti ekonomik nëse Vetëvendosje do të qeverisë me vendin. Ajo kërkoi mobilizim për fitore.

“Që kjo fitore të vuloset, duhet mobilizuar një pjesë e madhe dhe fuqishme e popullit tonë. Kjo pjesë e popullit ka fatin e vendit në dorë, Edhe pse, jo gjithnjë është e vetëdijshëm për këtë fuqi të madhe që ka”, iu tha mitrovicasve Vlora Haxhimehmedi.

Ajo tha po ashtu se VV është e përkushtuar për të drejtat e barabarta të gruas në shoqëri, me ç’rast tha se qeverisja e VV-së mundëson pushim 12 mujor të lehonisë,hapjen e 150 çerdheve të reja në gjithë vendin, banesa sociale e shtesa për fëmijë, si dhe sigurmin e punës dhe mbrojtjen në punë.
“Le të punojmë së bashku dhe të vendosur në këto pak ditë që kanë mbetur, që 11 qershori të kthehet në një festë të madhe, për Mitrovicën, për Kosovën, për mbarë kombin shqiptar”, ishte porosia e Haxhimehmedit për bashkëvendasit e saj.

Faruk Mujka: Vetëvendosje është e para në Mitrovicë

Në tubimin zgjedhor të mbajtur në Mitrovicë, qytetarëve iu është drejtuar Nënkryetari i Mitrovicës, Kryetari i Qendrës së Vetëvendosje-s në këtë qytet dhe kadidati për deputet, Faruk Mujka. Ai tha se dita e 11 qershorit lirisht mund të konsiderohet ditë referendumi, me ç’rast ka thënë se fitorja e Vetëvendosje i jep fund gjendjes së rëndë në këtë qytet,

“Mitrovicë është qyteti i vetëm në Kosovë që ka më pak banorë se para luftës, shkallën më të lartë të papunësisë, dhe numrin më të madh të qytetarëve me ndihmë sociale”, ka thënë Mujka gjatë këtij tubimi.

Ai tha se fitorja e Vetëvendosje-s në Mitrovicë është sekret publik, të cilin e dinë të gjithë.

Të ngjashme