Efekti i vizitës së Lajçak e Escobar: Kur priten hapat e parë për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi?

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 19:50 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë arritur dje në Kosovë ku kanë zhvilluar takime me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimeve me Osmanin dhe Kurtin, diplomati evropian Miroslav Lajçak ka deklaruar se do t’i vazhdojnë diskutimet me ta lidhur me planet për javët dhe muajt e ardhshëm. Ai ka deklaruar se do të qëndrojnë në Kosovë deri të mërkurën dhe deri atëherë presin që të kenë “një fotografi më të qartë se çfarë duhet të presin nga e ardhmja dhe si të ndërtohet procesi”.

Në anën tjetër, diplomati amerikan Gabriel Escobar, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Lajmi.net ka kontaktuar me profesorin universitar Milazim Krasniqi, i cili ka folur për vizitën e Escobar dhe Lajçak në Kosovë, duke thënë se ka një harmonizim të Uashingtonit dhe Brukselit për të shtyrë përpara procesin politik si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnje.

“Po duket që është rritur edhe më tepër mobilizimi i Uashingtonit dhe Brukselit, sepse Rusia dhe Serbia ka gjithmonë rrezik që ta përdorin destabilizimin në Kosovë apo edhe në Bosnje, për të krijuar paralelizim për problemet në Ukrainë. Besoj që ky mobilizim i ri është në këtë aspekt, pra është përpjekje për të mbyllur krizën. Konteksti në të cilën janë duke u bërë këto zhvillime është plotësisht në favor të mbylljes së procesit të dialogut, për shkak se në Serbi pritet të mbahen zgjedhjet gjatë këtij viti dhe Vuçiqi së bashku me Qeverinë e tij kanë kalkulimet e veta”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai ka thënë se presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti tashmë kanë nevojë për kohë për të pranuar realitetin se dialogu është i pashmangshëm.

“Në anën tjetër, Kurti dhe presidentja Osmani deri tash kanë dhënë deklarata të mjaftueshme për dialogun, andaj edhe ju duhet një fazë për ta zbutur qëndrimin dhe për ta pranuar realitetin që dialogu është i pashmangshëm. Unë besoj se deri në muajin prill apo maj do të ketë kësi lloj takimesh dhe taktizimesh, ndërkaq personalisht pres që prej majit deri në dhjetor të këtij viti të ndërmerren hapat e parë drejt një marrëveshje obligative gjithëpërfshirës mes Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar Krasniqi.

Kujtojmë se gjatë ditës së dytë të vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak kanë takuar krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Memli Krasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK, në takimet e zhvilluara me rend në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, kanë shprehur mbështetjen e tyre për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Ata kanë theksuar se duan që marrëveshja të përmbajë njohjen reciproke, të mos cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, si dhe ta respektojë rendin kushtetues.

Të ngjashme